
Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot detaje përsa i përket mbajtjes së Kongresit të PS që do t’i zhvillojë punimet ditën e shtunë.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama është shprehur se ky Kongres nuk do të jetë si më përpara, pasi kësaj radhe do të marrin pjesë edhe grupe të interesit.
“Pas pak ditësh do të mblidhemi në Kongresin e PS-së dhe nuk e pamë të udhës që të angazhonim dy herë brenda 2-3 ditësh të gjithë ju për të bërë lëvizje. Nga ana tjetër, ky format është i favorshëm që secili/a të japë kontributin e tyre lidhur me Kongresin ku pastaj njëri prej sesioneve do të jetë i gjithi për të diskutuar brenda Kongresit.
Këtë here Kongresi do të jetë ndryshe nga herët e tjera pasi do të jetë një kongres në pjesën e tij të parë për grupet e interesit, ato që do të dëshirojnë të na bashkohen në një numër panelesh jashtë sallës së Kongreseve, qoftë në pjesën para saj, qoftë në Bulevard, qoftë tek sheshi nënë Tereza dhe sheshi Italia ku do t’i nënshtrohemi disa temave që i kemi identifikuar si tema të një rëndësie të dorës së parë, por edhe në perspektivën e një mandati të tretë, duke iu referuar dhe nga politika e jashtme, Shqipëria, rajoni dhe marrëdhëniet tona me Evropën, tek tema e energjisë që ka edhe një rëndësi më të veçantë në të përditshmen e vet, tek tema tjetër e shëndetit dhe e mirëqenies shoqërore dhe tek tema e rinisë. Janë këto panele që do të moderohen nga anëtarë të kryesisë së PS së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, ku do të jenë të ftuar të marrin pjesë edhe të tjerë sipas fushave”.