Edi Rama dhe Albin Kurti kanë qenë miq të ngushtë, por tashmë mes tyre ka një betejë të ftohtë. Por çfarë ndodhi mes tyre? Analisti Ilir Kulla ka tentuar t’i japë përgjigje kësaj çështjeje.
I ftuar në emisionin Zonë e Lirë, Kulla ka treguar prapaskenat dhe gjithçka ka nisur para rreth 4-5 vitesh, sipas të cilit, Rama kishte tentuar t’i merrte Vetëvendosjen Albin Kurtit. Momenti i dytë, sipas analistit Kulla, ka qenë rrëzimi pas 100 ditëve në pushtet i Albin Kurtit si Kryeministër.
Ilir Kulla u shpreh se Albin Kurti dhe njerëzit që e mbështesin mendojnë se pas kësaj ngjarje qëndron Edi Rama dhe Hashim Thaçi.
Nga ana tjetër, Kulla tha se kryeministri Edi Rama nuk e ka pranuar përfshirjen në fushatë zgjedhore në Shqipëri të Vetëvendosjes.
“Ata dikur kanë qenë shumë miq. Ata janë karaktere të ngjashme dhe shtyhen shumë me njëri-tjetrin tani që janë në pushtet. Por konflikti është i mëhershëm. Kurti dhe njerëzit afër tij akuzojnë Ramën se donte t’i merrte partinë kur Albini ishte sëmurë. Provuan t’i marrin partinë Albinit sikur mos ishte grupi i Liburn Aliut që qëndruan fort atje. Ata mendojnë se pas kësaj qëndron Rama bashkë me Thaçin.
Në atë kohë ishte qeveria Thaçi dhe aleatët e tij dhe Rama ishte afër Thaçit. Këtë mendojnë ata.
Pastaj kur u bë qeveria e parë Kurti ata e kanë bindje që Rama në një pjesë të madhe të institucioneve shtetërore shqiptare u angazhuan për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe kjo ka qenë arsyeja pse Vetëvendosja ka qenë egër kundër ish-ministres së Arsimit.
Lufta ka filluar sepse Albini mendon që Rama ka provuar ta rrëzojë.
Ata kanë përplasje me njëri-tjetrin por është dhe axhenda, në fillim ndryshimi i kufijve tani Open Balkan, që i përplas. Nuk kalon kaq kollaj kjo.
Ata të dy kanë një konflikt personal dhe një konflikt politik ndërshtetëror.
Ndërkohë Rama mendon që përfshirja e Kurtit në politikë në fushatë për të rrëzuar Ramën ka qenë një gjë që Kurti nuk duhet ta bënte sepse është Kryeministër i një vendi tjetër”, u shpreh Ilir Kulla.