Edi Rama zemëron Erdogan për “gylenistët”/ Ministri i Jashtëm turk vizitë në Ballkan, përjashton Shqipërinë

17 June 2022, 11:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama zemëron Erdogan  për “gylenistët”/ Ministri
Edi Rama dhe Erdogan

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka bojkotuar sërish kryeministrin Rama dhe këtë e tregon qartë lëvizja tij të fundit që shfaq hapur një krisje të raporteve mes Tiranës dhe Ankarasë. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka filluar që në datën 15 qershor vizitat zyrtare në Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Ministri turk do të ketë takime dypalëshe dhe do të takohet edhe me përfaqësuesit e komuniteteve turke në Maqedoninë e Veriut. Por në këto takime në të gjithë Ballkanin duket se Shqipëria nuk është në agjendën e ministrit të Jashtëm turk.

Sipas Ministrisë së Jashtme turke, gjatë vizitave do të trajtohen çështjet dypalëshe, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare me fokus Bosnje-Hercegovinën. Mevlut Çavusoglu do të zhvillojë takime dypalëshe me homologët e tij, krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe kryetarë parlamentesh, dhe do të takohet me përfaqësuesit e komuniteteve turke në ato vende. Cavusoglu ka marrë pjesë edhe në Forumin e Dytë të Dialogut të Prespës në Maqedoninë e Veriut në Ohër ditën e djeshme dhe mbajti një fjalim në Sesionin Zyrtar të Hapjes së Nivelit të Lartë, shkruan SOT.

Çfarë ka ndodhur mes Erdogan dhe Ramës?

Ky ndryshim kursi nga Erdogan ndaj Edi Ramës të befason, pasi vitet e fundit kryeministri ka dëshmuar se ka marrëdhënie të mira me presidentin turk, ndërkohë që ky i fundit i ka qëndruar pranë Shqipërisë në ditët të vështira sikundër ishte tërmeti në vitin 2019 dhe pandemia e Covid-19, ku Erdogan financoi për të ndërtuar banesa dhe spitale për vendin tonë. Por përtej bujarisë dhe mbështetjes, presidenti Erdogan në këmbim i kërkoi kryeministrit Rama që të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar gylenistët. Sipas tij, ky ishte një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve, porosi të cilën ia la Ramës gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë më 17 janar të këtij viti.

Erdogan kërkoi nga shteti shqiptar që para vizitës së tij që e kishte planifikuar përpara se të mbyllej muaji i Ramazanit, “gylenistët” që strehohen në Shqipëri dhe biznesit e tyre duhet të goditen. Gjatë vizitës në Shqipëri, Erdogan përsëriti dy herë rrezikun e organizatës së klerikut Fetullah Gulen për Shqipërinë. Ai tha se Turqia ndihet e lënduar që anëtarë të saj gjejnë vend në Shqipëri, dhe kërkoi të merren masa ndaj tyre për të shmangur përsëritjen e një grushti shteti si ai që ndodhi në Turqi në vitin 2015. Mirëpo, ky kusht i vendosur nga Erdogan nuk është përmbushur nga Rama. Kjo ka çuar në krisje të raporteve mes dy liderëve. 

Ja kur filloi krisja e raporteve

Rama disa ditë pas vizitës së Erdogan në janar në Shqipëri, e paralajmëroi se nuk do të godasë “gylenistët” që strehohen në Shqipëri. Kryeministri gjatë një prononcimi për mediat nga selia e PS tha se “nuk i kemi asnjë borxh”, Erdoganit dhe vetë Turqisë.“Nuk i kemi asnjë borxh, presidentit të Turqisë dhe Turqisë, sikundër as presidenti i Turqisë dhe Republika e Turqisë nuk na kanë asnjë borxh sepse mes miqsh dhe mes një miqësie vëllazërore nuk ka asnjë borxh”, deklaroi kryeministri Edi Rama. Vija e qartë e kuqe që tregoi kryeministri Rama për Erdogan e ka bërë këtë të fundit që të bëjë kthesën e madhe ndaj liderit shqiptar duke e braktisur totalisht.

Ndryshimi i Ramës dyshohet se ka ardhur dhe pas qëndrimit të amerikanëve për gylenistët. Zv.ambasadori amerikan në Shqipëri, Demian Smith ka vizituar para pak javësh nxënësit e shkollës “Turgut Ozal”, institucionin arsimor, të cilin Erdogan ka kërkuar vit pas viti që të mbyllet, pasi janë të financuara nga Gylen. Prej vitit 2016, Shqipëria ka bërë lëshime të vogla, si lejimin e zëvendësimit të institucioneve arsimore të financuara nga gylenistët nga një fondacion shtetëror turk.


Video