Sali Berisha e cilëson antikushtetues urdhërin e SPAK-ut për të ndalur gazetarët nga publikimi i dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe u bën thirrje mediave që të mos e zbatojnë këtë urdhër.
Ai fton gazetarët që të publikojnë dëshmitë e Dumanit, sipas tij, jo vetëm me kundërshtarët politikë të Berishës, por të të gjithë klasës politike, ku përfshihet edhe Presidenti Ilir Meta. Emri i këtij të fundit doli nga gazetari Artan Hoxha, që tha se Dumani ka deklaruar se Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një ish-deputeti të PS-së. Dyshimet janë se bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllain e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka në dimrin e 2017-s.
“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt tejet të rëndë censure dhe kërkoj largimin e menjëhershëm të mercenarëve të Edi Ramës nga sistemi i drejtësisë. Gjithashtu, u bëj thirrje gazetarëve të mos zbatojnë akte antikushtetuese, por të qëndrojnë të pamposhtur në mbrojtje të lirisë së mediave dhe të publikojnë çdo telefonatë të Edi Ramës, Taulant Ballës, Erion Veliajt, Damian Gjiknurit dhe të çdo deputeti, qeveritari vendor, gjykatësi, apo prokurori dhe çdo zyrtari tjetër me vrasësit serial, përdhunuesit, grabitësit e bandave të partisë”, shkruan Berisha.
Sipas Berishës, urdhri është antikushtetues, censurë policeste dhe atentat ndaj lirisë së mediave.
“Ky vendim i pashembullt në 30 vitet e fundit shënon rikthimin e ligjit e dënimit për agjitacion e propagandë të diktaturës Hoxhiste. U bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së mediave të dënojnë me ashpërsinë më të madhe këtë vendim të rrezikshëm”, mbyll reagimin e tij ish-Kryeministri.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.