Alibeaj: Këshilli Kombëtar i "Rithemelimit" institucion paralel, deputetët të sjellin ...

5 May 2022, 19:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Alibeaj: Këshilli Kombëtar i "Rithemelimit" institucion

Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, ku sot nuk është marrë asnjë vendim mbi uljen në tryezë me mazhorancën për zgjedhjen e Presidentit, teksa do të mblidhen sërish ditën e hënë.

Vendimi i vetëm që u mor është ai për paraqitjen e një kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për abuzimet me shitblerjen e energjisë elektrike dhe krizën e krijuar ne sistemin energjetik. Për këtë janë ngarkuar deputetët Helidon Bushati, Lefter Gështenja dhe anëtarët e PD në Komisionin e veprimtarive prodhuese.

Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj deklaroi se është detyrim ndaj zgjedhësve për të marrë pjesë në proces, teksa tha se deputetët do të sjellin kriteret për Presidentin e ri.

“Kjo ishte mbledhja e parë ku u diskutua për axhendën parlamentare. U diskutua për çështjen e komisioneve të posaçme që përbëjnë lëndë të parë për grupin opozitar. U diskutua dhe çështja e Presidentit të Republikës. Dua të falënderoj kolegët deputetë për përgjegjshmërinë për të përballur këtë proces. Është një proces i rëndësishëm që teston edhe qasjen e vetë PD-së. Ishte një mbledhje ku secili prej deputetëve dha opinionin e vetë. Pashë një konsensus nga të gjithë deputetët. Në aspektin organizativ të kemi një mbledhje tjetër të hënën. Gjithë deputetëve iu kërkua që në lidhje me këtë proces, të ofrojnë kriteret sipas të cilave, ne PD-ja, dhe deputetët e PD-së, si e imagjinojnë ata, cilat do jenë kriteret, virtytet politike e morale për Presidentin. Ajo që vura re ishte kjo gjë, me një sens përgjegjësie të madhe, deputetët ndanë dy çështjet.

Të marrin pjesë në proces, por të mos përdoremi. Marrja pjesë në proceset parlamentare është një detyrim kushtetues dhe ndaj zgjedhësve tanë. Është një detyrim që duhet t’ia përmbushim. Duke kërkuar që të sjellin në kushtet e normalitetit institucional, një pjesë të vogël të Presidentit. Ky ishte sensi i përgjegjësisë, që edhe për këtë proces, prezenca dhe pjesëmarrja jonë të jetë e tillë që të nderojnë aspiratat e njerëzve që na votojnë. Kurrësesi që të jemi fasadë. Në vijim të kësaj, secili nga kolegët, deri të dielën, janë të ftuar të japin sugjerimet e veta. Si e imagjinojmë ne se si do jetë Presidenti i ri. Duke ruajtur dhe pozicionin tonë të opozitës” – tha Alibeaj.

Lidhur me numrin e pakët të deputetëve që morën pjesë në këtë mbledhje, Alibeaj tha se disa prej tyre kishin impenjime të tjera.

"Ishin aq dhe grupi parlamentar i PD-së, numëron 36 deputetë. Disa prej deputetëve kishin disa impenjime të tjera, edhe në mbledhjet e kaluara nuk kanë qenë të gjithë. Por, edhe për deputetët që keni ju ndërmend, ka një plan, do t’ju jepet gjithçka me shkrim. Refuzoj ta konsideroj grupin parlamentar një çështje numrash. Është shumë më tepër se kaq. Unë jam një prej anëtarëve, jam kryetar kjo është e sigurtë, jam një moderator. Në këtë proces ka një gjë që e kam detyrim, të përcjell, të tejçoj atë që është shumica e deputetëve. 

Është e mira që ta shihni tek të gjitha mbledhjet e grupit parlamentar. Nuk janë deputetët e PD-së, dele. S’kanë për të qenë të tillë. Kuorumin dhe shumicën e di mirë. Nëse s’janë sigurisht që s’janë." tha Alibeaj.

Lidhur me mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar nga "Rithemelimi", Alibeaj deklaroi se ajo nuk është e PD-së, por të një institucioni paralel, që synon ndarjen e demokratëve.

“Këshilli Kombëtar i PD-së nuk ka mbledhje nesër, PD i ka institucionet e veta, nëse flisni për institucione paralele, unë besoj…mbase dhe nuk bëj mirë, nuk duhen ndërmarrë veprim e që të çojnë tek ndarja, qoftë edhe nga unë. Dimë t’i themi gjërat siç janë, kështu që ju them jo, nesër jo, nuk ka mbledhje të Këshillit Kombëtar, nuk dua t’i hedh dru zjarrit që djeg demokratët.”, - tha Alibeaj.

Pas përfundimit të mbledhjes foli dhe deputeti Ervin Salianji, i cili tha se do të përpjekje për të mbledhur të gjithë grupin e PD, e jo të vijojë të ndarë në disa pjesë.

“Do bëj çdo përpjekje për të mbledhur grupit e PD dhe për të mos ta ndarë grupin, propozimet e të gjithë deputetëve janë qëndrime individuale, kryesia e grupit do të caktojë mbledhjen e ardhshme”, tha Salianji.


Video