Qeveria do krijojë Fondin Kombëtar të Tërmeteve dhe arka e saj do mbushet me sigurimet e detyrueshme të banesave

7 August 2023, 17:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria do krijojë Fondin Kombëtar të Tërmeteve dhe arka e
Dëmet nga tërmeti i 2019 në Durrës

Qeveria ka gati projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, qoftë atyre të përfunduara, me qira apo në proces legalizimi, për mbrojtjen nga dëmet e tërmetit.

Projektligji është nxjerrë tashmë për konsultim, dhe me gjasë shumë shpejt do të jetë para deputetëve për ta votuar në parlament.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Financave dhe AMF për adresimin e ndikimit social dhe fiskal të tërmetit, duke u bazuar në eskperienca të vendeve si Filipinet, Turqia dhe Rumania.

“Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave të paluajtshme: banesa; seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme. Nuk zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër - kallami ose të ngjashme; ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Detyrimin për sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre", thuhet ndër të tjera në projektligj.

Në nenin 5 të ligjit thuhet se pronat detyrohen të sigurohen nga tërmet çdo vit, ku përfshihen banesat sociale me qira, përfshirë ato në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Fondi Kombëtar për Tërmetet është përgjegjës për:
a) shitjen e policave të sigurimit;
b) administrimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;
c) krijimin e përfitimeve nga investimi i të ardhurave nga policat e sigurimit;
d) risigurimin e primit;
e) trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;

Ky projekt-ligj, siç shpjegohet në relacionin shoqërues, vjen si nevojë e adresimit të ndikimit social dhe fiskal të tërmeteve, e për të siguruar fondet e nevojshme për rindërtimin e banesave, nisur nga tërmeti shkatërrues I 2019, që preku 200.000 njerëz në 11 bashki, përfshirë Tiranën dhe Durrësin dhe duke shkaktuar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik të vlerësuar në 7.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.


Video