Lulzim Basha paralajmëron komision hetimor për kullën e Foltores pas Operas

7 August 2023, 16:23Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulzim Basha paralajmëron komision hetimor për kullën e Foltores
Lulzim Basha / Kulla e "Foltores" / Sali Berisha

Partia Demokratike e Lulzim Bashës do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hedhur dritë mbinjë nga aferat më të mëdha me ndërtimin në Tiranë, ku flitet se është përfshirë opozita dhe familja e Sali Berishës.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësja e PD, Mirela Karabina në një intervistë për emisionin "Breaking", në Top News. Karabina gjithashtu ka shprehur mbështetjen për SPAK, duke thënë se duhet të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta, duke përfshirë edhe rastin në fjalë.

Kulla më e lartë në Tiranë do të ndërtohet mbi lulishten e vetme të mbetur në Tiranë, atë midis Operas dhe "9-katëshave", dhe ndërtues është një prej financuesve të "Foltores" së Sali Berishës dhe medieve pranë tij.

"Ashtu sikurse edhe zoti Basha e ka deklaruar dje, SPAK e ka detyrim të hetojë korrupsionin në nivele të larta. Ne kemi kërkuar të mbështesim SPAK-un për të vënë përpara këdo që ka abuzuar, edhe në rastin konkret me këtë ndërtim në qendër të Tiranës, ku po gllabërohet një pjesë e frymëmarrjes së qytetit, pikërisht nga ata që kanë përfituar nga pushteti", deklaroi Karabina në "Breaking".

 


Video