Djali i kandidatit të Partisë Socialiste në Has është filmuar nga një banor i zonës duke ngarkuar disa kuti në një makinë gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.
Sipas denoncuesit, djali i kandidatit të Partisë Socialiste në Has, Beqir Mulaj, është duke u përgatitur për blerje votash, dhe pakot të cilat po ngarkon janë me ushqime.
Ai është filmuar duke i nxjerrë pakot nga një shkollë dhe duke i ngarkuar në makinë.
Ditën e sotme kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj ka reaguar pas akuzave të bëra.
Në reagimin e bërë, Halit Mulaj shkruan se mbrëmjen e djeshme duke qenë edhe nata e shenjtë e ‘Kadrit’ janë shpërndarë pako të cilat jepen tradicionalisht çdo vit për këtë mbrëmje të shenjtë për besimtarët muslimanë.
Ai tha se rivali i tij politik po e ekzagjeronte ngjarjen duke e paraqitur si blerje votash.
“Në këtë natë KADRI dua të shpreh gjithë keqardhjen Time, gjithë neverinë dhe indinjaten jo vetëm Timen, ndaj rivalit tim, që disa pako tradicionalisht të përvitshme në këtë natë të bekuar jepen, po e ekzagjeron si blerje votash. Më vjen turp dhe u them sinqerisht se, nuk arrij ta kuptoj gjjthë këtë egzagjërim!”, shkruan kandidati i PS.
Ndërsa në mbyllje të reagimit të tij, ai bëri thirrje që qytetarët hasjanë të refuzojnë masivisht kandidaturën e Miftar Dautit.
“E vetmja gjë që po kuptoj në gjithë këtë histori, është se, rivali im po tregohet shum i vogël, gjë që unë nuk e dija që është në këtë nivel!! Të dashur miqtë e mi, nuk dua të merrem me vogëlsira, ua lë në dorë Ju të dashur Hasian, ta refuzoni masivisht këtë vogëlsirë më 14 maj, Duke u kërkuar ndjesë për këtë reagim të detyruar nga sjellja negative e rivalit”, përfundon Dauti në reagimin e tij.