Në bashkinë e Elbasanit është realizuar sondazhi i Angi Richerche në bashkëpunim me Top Channel, ku janë pyetur qytetarët në lidhje me perceptimin e tyre mbi jetesën në Shqipëri dhe politikën në vend.
Teksa janë pyetur se cilët nga politikanët vlerësojnë më shumë, qytetarët e Elbasanit sipas sondazhit i kanë dhënë vendin e parë kryeministrit Edi Rama të cilin e vlerësojnë nga 1-100 52.9%, kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja 52.7%, më pas renditet kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Luçiano Boçi me 33.7%.
Pas Boçit renditet ish-kryeministri Berisha me 29.4%, Ilir Meta 20.1%, Lulzim Basha 19.4% dhe në fund Enkelejd Alibeaj 16.4%.
Sondazhi i “Angi Ricerche” dhe Top Channel në bashkinë e Elbasanit është zhvilluar nga data 20 mars deri në 10 prill 2023. Gjithsej, janë intervistuar 819 zgjedhës, ndërsa marzhi i gabimit llogaritet të jetë +/- 2.2 për qind. Bashkia Elbasan ka rreth 169 mijë votues, të cilët do të zgjedhin në 14 maj kryebashkiakun e tyre për katër vitet e ardhshme. Në garë është Gledian Llarja i Partisë Socialiste përballë Luçiano Boçit, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Sa besim kanë elbasanllinjtë te kryeministri Edi Rama?
Në sondazhin e “Angi Ricerche”, qytetarët e Elbasanit janë shprehur se besim kanë te Edi Rama si kryeministër.
Shumica e të anketuarve shprehen se kanë besim “mjaftueshëm” te Rama në drejtimin e qeverisë.
12.4 për qind e tyre thonë se kanë shumë besim te Rama, ndërsa 33.7 për qind shprehen se kanë pak besim. Ndërkohë, janë 14.3 për qind e elbasanllinjve që nuk kanë aspak besim te kryetari i qeverisë së vendit.
Pyetjes se si ka ndryshuar gjendja e familjes gjatë periudhës kur kryeministër ka qenë Edi Rama, që nga viti 2013 kur u votua për herë të parë si kreu i qeverisë, pjesa dërrmuese e elbasanllinjve thonë se ka mbetur e njëjtë. 16.7 për qind e të anketuarve thonë se gjendja e familjes u bë më e mirë, ndërsa 15. 8 për qind e tyre shprehen se gjendja e familjes është përkeqësuar gjatë këtyre 10 viteve te qeverisë “Rama”.