
SPAK sekuestroi ditën e sotme pasuritë e deputetit të PD-së, Kasëm Mahmutaj, për shkak të vëllait të tij Gazmend Mahmutaj, pasi ky i fundit është dënuar në Itali për trafik droge dhe prostitucion.
Në dosjen e Gazmend Mahmutajt në Itali del dhe emri i kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Sipas dosjes italiane, ky i fundit është dënuar në Itali me 3 vite burg dhe ndalim të ushtrimit të posteve shtetërore për akuzën e “përkrahjes së të inkriminuarve”, pasi sipas Gjykatës së Apelit në Milano, me një vendim të 23 prillit 2000, Mediu, në emër të parlamentit shqiptar, ka favorizuar të kërkuarin nga drejtësia italiane, pikërisht Gazmend Mahutajn, për të kaluar tranzit nga vendi ynë drejt shtetin fqinj me emër të rremë (Raqi Gjoni).
Për këtë ngjarje, në atë kohë, Fatmir Mediu deklaronte se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë italiane.
Kreu i Partisë Republikane ka dhënë një prononcim për Voxnews.al në lidhje me këtë dënim të tijin në Itali, ku shprehet se nuk ka fshehur asgjë.
Edhe pse emri i tij rezulton në dosjen e gjykatës së Milanos, Mediu i konsideron lajmet e publikuara si trillime për qëllime politike.
“Megjithëse ju keni bërë publikim ju bëj me dije. As kam fshehur as kam gjë për të fshehur. Kam më shumë se 3 legjislatura që kam plotësuar deklaratën e dekriminalizimit. Nuk merrem me lajme të trilluara mediatike për qëllime shpifje dhe politike”, u shpreh Mediu për Voxnews.al
I pyetur nëse kjo histori i përmendet për ta goditur politikisht, Mediu për Vox u shpreh:
“Nuk më intereson. Është një histori që përsëritet qëllimisht prej 20 vitesh”.
Lidhur me Fatmir Mediun drejtësia italiane shprehet: “Më 18 nëntor 1998, Gazmend Mahmutaj, një personazh i njohur i botës së krimit në Berat, ishte duke kaluar tranzit në aeroportin ”Malpensa” në Milano bashkë me një grup parlamentarësh shqiptarë. Deputetët shkonin në Parlamentin Evropian për një mbledhje për krimin e organizuar. Mahmutaj, e dinte që ishte në kërkim nga autoritetet italiane, ndaj duke përfituar nga miqësia me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu kishte siguruar dokumente të falsifikuara me emrin Raqi Gjoni.”
Trupi gjykues në Itali, në shkallën e Parë dhe atë të Apelit, kishte arritur në përfundimin se Mediu e ka ndihmuar Mahmutaj t’i shmanget drejtësisë italiane duke mos vuajtur dënimin.
Mediu u dënua me 4 vite e 6 muaj burg dhe pas procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 3 vite burg.
Por vetë Mediu shprehej se ka marrë pafajësi nga Gjykata e Lartë dhe se kjo çështje nuk ka vend për aludime.