
35 deputetë të Partisë Demokratike refuzuan të shkonin në Kuvendin e 30 Prillit, por ish-kryeministri Sali Berisha shprehet i bindur se ata do t'i bashkohen shumicës. Berisha shtoi më tej se Kuvendi i 30 Prillit nuk u shty për shkak se nuk pranonte ta shtynte shumica.
"Sot për çdo kundërshtar dhe çdo njeri, 6 marsi përcaktoi shumicën. Jo me sondazh por “dal vivo”. Unë kam bindjen se në tërësi deputetët e PD do i bashkohen shumicës, unë nuk them se çdo njëri prej tyre, por në tërësi shpreh bindjen më të madhe se pas Kuvendit edhe shumica prej tyre do t’i bashkohen PD-së. Në këtë aspekt Kuvendi ishte Kuvendi i bashkimit të PD. Ata që pretendojnë po pse nuk u shty Kuvendi, nuk pranonte shumica ta shtynte, edhe pakica nuk pranonte ta shtynte, ajo u bashkua, ajo votoi. Ajo përbën një korpus prej 40 mijë anëtarësh që votojnë”, tha Berisha.
Gjithashtu, Berisha rikonfirmoi kandidaturën për kryetar të PD. Sot u hapën zyrtarisht aplikimet për kandidatët, por ai tha se nuk i ka dorëzuar ende dokumentet, por do e bëj shumë shpejt.
Teksa gazetari e pyeti nëse do të garojë, Berisha u përgjigj: “Nuk kam depozituar dokumentat, sot u informova, unë do respektoj afatet e caktuara. Asgjë të re s’them me këtë, e kam thënë shumë herë publikisht”.
Për kandidimin e tij, Berisha tha se nuk do të “pyes” ndërkombëtarët.
“Po të kthehemi bashkë në dhjetor, Escobar takoi Lulzim Bashën dhe jo vetëm kaq, po fiksoi dhe një takim në Uashington me të, kësaj here erdhën, takuan pasardhësin e Bashës, do të thoja unë përsëri ato që kam thënë, loja me kukulla nuk është një lojë serioze dhe nuk funksionon në Shqipëri, përpjekja siç e thashë në Kuvend, kur e majta shqiptare, e SHBA dhe e mbarë botës nuk do të mund të caktoj kryetarin dhe udhëheqjen e forcës demokratike të Shqipërisë, kurrë”, përfundoi ai.