Dogana e Kosovës nxjerr “bllof” Mozzikun, ia sekuestron dy orat 1.3 milionë euro dhe e referon në Prokurori

17 September 2025, 19:16Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dogana e Kosovës nxjerr “bllof” Mozzikun, ia sekuestron dy orat
Mozzik

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të këngëtarit Gramoz Aliut, i njohur si “Mozzik”, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze në vlerë totale 1 milion e 340 mijë e 27 euro.

Sipas njoftimit të Doganës, orët luksoze, njëra “Richard Mille” dhe tjetra “Rolex”, nuk janë deklaruar nga Aliu gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër.

“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë”.

“Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Më tej, Dogana tha se Aliu është intervistuar sot dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët mbeten të ndaluara deri në një vendim të Prokurorisë.

Kujtojmë se Mozzik reagoi ditën e sotme duke pretenduar se nuk është ndaluar dhe se nuk ka probleme duke akuzuar mediat për shpifje. Sipas medieve, ai i ka edhe një borxh prej 500 mijë eurosh autoriteteve tatimore të Kosovës.

Sendet luksoze të shtrenjta që kapin vlera qindra mijëra euro, duhet të shoqërohen edhe me dokumentet përkatëse të origjinës së tyre.


Video