
Aeroporti 'Nikola Tesla Airport' tha se avioni me flamurin serb 'Air Serbia' është kompania e vetme që fluturon në kryeqytetin rus, ndërsa kompanitë tjera ajrore i kanë ndaluar fluturimet e tyre si në Moskë, ashtu edhe në Kiev.
“Si gjithnjë, ‘Nikola Tesla Airport’ i përshtatet vendimeve të kompanive ajrore, së bashku me to monitorojmë vendimet e autoriteteve përkatëse”, tha aeroporti i Beogradit.
Ndërkohë, në hartën e trafikut ajror, Ukraina nuk ka asnjë avion në qiellin e saj, ndërsa sipër Rusisë po fluturojnë vetëm avionë nga vende si Gjeorgjia e Kazakistani.
Vende të ndryshme të botës kanë ndaluar linjat ajrore ruse nga hapësira e tyre ajrore.
Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët në pronësi ruse, të regjistruar rus ose të kontrolluar nga Rusia.
Avionët nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Kjo vlen edhe për “avionët privatë të oligarkëve”.
Edhe Rusia ka njoftuar mbylljen e hapësirës ajrore për linjat nga 36 vende përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë dhe Kanadanë.
Hapi i marrë nga Rusia vjen pas një vendimit të BE-së. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ndaloi fluturimet e Aeroflot, duke bërë që Rusia të shpallte një ndalim të mëhershëm hakmarrës ndaj linjave ajrore britanike.