
Bashkimi Europian ka shkelur për herë të parë një rregull të pashkruar për të mos ofruar ndihma ushtarake për vendet në konflikt. Përjashtimin e bëri me Ukrainën.
BE miratoi një paketë prej gjysmë miliardi eurosh në ndihmë të Kievit. Paratë do të jepen që të gjithë në formën e armatimit ushtarak për vetëmbrojtje ndaj ofensivës ruse.
“Pas kërkesës së Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, ne u mobilizuam menjëerë me Fondin e Paqes, për dy paketa ndihme financiare për të furnizuar Ukrainën me armë vdekje prurëse dhe materiale të tjera ushtarake. Për herë të parë në historinë e saj, BE i jep armë vdekjeprurëse një vendi të tretë. Po bëjmë gjithçka për të mbështetur Ukrainën dhe popullin ukrainas”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell.
Vendimi tjetër i BE-së ishte ndalimi i uljes, ose fluturimit mbi qiejt e unionit të të gjitha avionëve rusë, atyre që janë të regjistruar në emër të kompanive, apo individëve rusë, apo edhe në emër të shtetasve jorusë, por që kontrollohen nga kompani, apo individë rusë.