OBSH jep alarmin për Ukrainën: Shërbimi spitalor në kolaps

28 February 2022, 14:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

OBSH jep alarmin për Ukrainën: Shërbimi spitalor në kolaps

Bombolat e oksigjenit që shërbejnë për të trajtuar pacientët e sëmurë me Covid-19 dhe sëmundje të tjera të rënda, por edhe të plagosurit e luftës po mbarohen në Ukrainë. 

Lajmi është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila bëri me dije se kamionët nuk ishin në gjendje të transportonin furnizime nga fabrikat në spitalet brenda vendit, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. Kjo do të thotë, sipas OBSH-së, se rezervat mund të mbarojnë brenda 24 orëve.

Organizata tha se po punohet me partnerët ndërkombëtarë për të marrë dërgesa urgjente përmes Polonisë.

“Situata e furnizimit me oksigjen në vend është në një pikë shumë kritike”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

OBSH, sqaroi se disa fabrika prodhuese në Ukrainë po përballen me mungesën e zeolitit, një produkt thelbësor, kryesisht i importuar dhe që nevojitet për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor.

Po ashtu, shërbimi në spitale është tepër i vështirë për t’u dhënë për personat e sëmurë, por edhe për të plagosurit e luftës për shkak të mungesës së energjisë elektrike.


Video