Në Kosovë ndahen edhe brenda familjes për Edi Ramën

10 May 2022, 21:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në Kosovë ndahen edhe brenda familjes për Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi falenderoi sot kryeministrin Edi Rama për kujdesin vëllazëror që sipas tij, ai po tregon ndaj Kosovës, pas vizitës në Hagë te ish-presidenti Hashim Thaçi.

Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka shkruar se Rama rikujtoi se vlerat solidare “janë të përtejkufijshme” siç ishin në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për liri. Sipas Krasniqit, vizita në fjal është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare dhe të historisë së popullit shqiptar.

"Falemnderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij.

Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar - luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.

Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën." ka shkruar Krasniqi.

Por, duket se babai i Memlit dhe një ndër themeluesit e PDK-së, Milazim Krasniqi, duket se nuk ndan të njëjtin mendim me të birin për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Në një postim para disa kohësh, Milazim Krasniqi shprehet se Rama përfaqëson më së miri Shqipërinë staliniste që donte sllavët, teksa e akuzon dhe për vjedhje votash.

Vlen të theksohet fakti se në Kosovë ka mjaft debate mbi figurën e Edi Ramës, ku disa e kritikojnë dhe disa jo, por siç duket mendimet e kundërta ekzistokan edhe brenda familjes.

Në Kosovë ndahen edhe brenda familjes për Edi RamënNë Kosovë ndahen edhe brenda familjes për Edi Ramën



Video