Kanadaja dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe shpall sanksione të reja

24 February 2022, 22:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kanadaja dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe shpall sanksione

Kryeministri kanadez Justin Trudeau dënoi pushtimin rus të Ukrainës gjatë një konference të dhënë së fundmi dhe njoftoi një grup të ri sanksionesh.

“Kanadaja është e qartë në dënimin tonë të sulmit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj shtetit sovran dhe demokratik të Ukrainës,” tha ai. “Mosrespektimi i Presidentit Putin për ligjin ndërkombëtar, demokracinë dhe jetën njerëzore është një kërcënim masiv për sigurinë dhe paqen në mbarë botën.”

Trudeau u shpreh se Kanadaja po vendos “sanksione të reja” që kanë si synim 58 individë dhe subjekte, duke përfshirë edhe anëtarë të elitës dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Ne gjithashtu do të sanksionojmë anëtarët e Këshillit Rus të Sigurisë, duke përfshirë ministrin e mbrojtjes, ministrin e financave dhe ministrin e drejtësisë”, tha Trudeau. “Përveç kësaj,ne po i ndërpresim të gjitha lejet e eksportit për Rusinë dhe po anulojmë lejet ekzistuese. Këto sanksione janë të gjera. Ata do të imponojnë kosto të rënda për elitat bashkëpunëtore ruse dhe do të kufizojnë aftësinë e Presidentit Putin për të vazhduar financimin e këtij pushtimi të pajustifikuar.”

Në fjalimin e tij, Trudeau i quajti gjithashtu veprimet e Putinit “kërcënimi më i madh për stabilitetin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe tha se ai ka qenë në kontakt me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

“I thashë se ne po shpallim veprime të forta sot dhe vazhdojmë të qëndrojmë me të dhe me popullin ukrainas”, tha Trudeau.

Më herët në mëngjes të së enjtes, Trudeau u takua me partnerët kanadezë të G7 për të koordinuar një përgjigje ndaj pushtimit. Ai tha se qeveria kanadeze po punon gjithashtu ngushtë me NATO-n dhe aleatët e tjerë.

“Së bashku, ne e kemi bërë të qartë se dhuna, agresioni dhe shkelja e ligjit ndërkombëtar rus nuk do të mbeten pa u ndëshkuar,” tha Trudeau. “Ne qëndrojmë të bashkuar dhe të palëkundur në mbështetjen tonë për sovranitetin e Ukrainës dhe solidarizojmë me të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë të ardhmen e tyre në një shtet të lirë dhe demokratik.”

Trudeau i bëri thirrje Putinit që të ndalojë të gjitha “veprimet armiqësore” kundër Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha forcat ushtarake dhe përfaqësuese nga vendi.

 


Video