Ukraina bën bilancin: 57 persona të vrarë, 169 të plagosur

24 February 2022, 21:08Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ukraina bën bilancin: 57 persona të vrarë, 169 të plagosur

Që nga fillimi i sulmit sot në mëngjes, Rusia ka vrarë 57 persona. 169 të tjerë janë plagosur. Këto janë të dhënat e ministrit të Shëndetësisë në Ukrainë.

Trupat ukrainase kanë rrëzuar deri tani 5 helikopterë rusë, kanë shkatërruar dhjetëra tanke dhe kanë arrestuar gjithashtu dhjetëra ushtarë rusë, që kur Rusia nisi pushtimin e vendit të tyre këtë mëngjes.

Ushtria ukrainase pretendon se ka rrëzuar katër helikopterë rusë KA-52 Alligator gjatë betejës për bazën ajrore në Hostomel, pranë Kievit, ndërsa një i pestë është detyruar të ulet për shkak të breshërisë së plumbave. Megjithatë aeroporti Antonov në Hostomel, rreth 25 kilometra larg nga Kievi, është tashmë nën kontrollin e rusëve, raporton CNN. Forcat ukrainase pretendojnë gjithashtu se kanë rrëzuar edhe 6 avionë rusë në Donbas, dhe një tjetër në afërsi të kryeqytetit.

Forcat ukrainase thonë se kanë shkatërruar dhjetëra tanke ruse përgjatë kufirit lindor mes dy shteteve. Beteja më e flaktë është zhvilluar në Kharkiv, ku pati shkëmbime zjarri mes palëve dhe viktima.

Ushtria e Ukrainës gjithashtu ka publikuar edhe foto të ushtarëve rus të kapur në luftime. Sipas komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, numri i të arrestuarve është rreth 50 ushtarë.


Video