Autoritetet turke po hetojnë shkakun e shpërthimit vdekjeprurës në sheshin Taksim në Stamboll, ndërkohë që një grua dyshohet si autorja e sulmit.
Faqja turke ODA TV raportoi se një grua me gjatësi rreth 1.65 metra u pa duke vendosur një pako, e cila dyshohet se ka qenë bomba, në rrugën "Beyoglu Istiklal" në buzë të një vazoje me lule. Tashmë në rrjet po qarkullon fotoja e turbullt e gruas si autore e dyshimtë e sulmit.

Edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në deklaratën e tij më herët, iu referua një gruaje që po hetohet për rolin e saj në "sulmin tinzar", siç e cilësoi ai.
“Do të ishte gabim të thuash se ky është padyshim terrorizëm, por indikacionet e para dhe informacioni që na ka përcjellë guvernatori im i parë është se këtu ka një erë terrorizmi. Vlerësimet e para janë se një grua ka luajtur një rol në atë që ka ndodhur. Si shefi i policisë së Stambollit ashtu edhe guvernatori ynë po hetojnë shpërthimin dhe kamerat nga vendi i ngjarjes po analizohen. Më pas do të bëjmë njoftimet përfundimtare”, tha Erdogan.
Deri tani, si pasojë e shpërthimit tragjik janë raportuar 6 viktima dhe 53 të plagosur.