Një shpërthim është regjistruar ditën e sotme në një rrugë këmbësorësh "Beyoglu Istiklal", pranë sheshit "Taksim" në Stamboll të Turqisë.
Mediat turke raportojnë se disa persona janë vrarë, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, por nuk dihet ende numri i saktë i tyre.
Shkaku i shpërthimit nuk është konfirmuar nga zyrtarët, teksa është regjsitruar në një nga rrugët tregtare më të ngarkuara të qytetit dhe është afër disa atraksioneve turistike.
Siç mund ta shihni, në videon e mëposhtme, banorët e frikësuar janë duke ikur nga vendi i ngjarjes dhe shumë njerëz janë të shtrirë në tokë. Ekipet e emergjencës janë dërguar në vendngjarje.
"Sot rreth orës 16:20 ka ndodhur një shpërthim në rrugën Taksim Istiklal në lagjen tonë Beyoğlu. Në vendngjarje janë dërguar ekipet tona të policisë, shëndetësisë, zjarrfikësve dhe AFAD . Ka viktima dhe të plagosur. Zhvillimet e mëtejshme do të ndahen me publikun", tha Guvernatori Ali Yerlikaya në Twitter.
Qyteti ka qenë në shënjestër të sulmeve të ISIS në të kaluarën. Në vitin 2017, 39 persona u vranë pasi persona të armatosur hapën zjarr në një klub nate në lagjen Ortakoy. Militantët e ISIS sulmuan gjithashtu aeroportin e Stambollit në vitin 2016, duke vrarë 41 persona.