
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka kërkuar në Beograd që Serbia dhe Kosova të përkushtohen se do të përmbahen nga dhuna.
Escobar vizitoi Beogradin bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak, pasi paraprakisht qëndruan në Kosovë.
Në konferencën për shtyp, diplomati amerikan bëri publik propozimin amerikan për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për dokumentacionet.
“Shpresoj që pas 1 shtatorit, serbët e Kosovës nuk do të jenë vizitorë në shtëpitë e tyre dhe të njihen si qytetarë legjitime me shtetësi të dyfishtë, edhe serbe dhe kosovare”, deklaroi Escobar.
Escobar deklaroi se kjo do të garantonte mbrojtjen e të drejtave të tyre, si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova. Gjithashtu, për bashkësinë e komunave serbe, diplomati amerikan tha se Prishtina duhet të dalë me një propozim të vetin, meqenëse propozimi i serbëve bie ndesh me Kushtetutën e vendit.