
Britania e Madhe po kërcënon shëndetin dhe jetën detare në brigjet franceze duke lejuar derdhjen e ujërave të zeza të papërpunuara në Kanalin dhe Detin e Veriut, thonë tre eurodeputetë.
Paralajmërimet për ndotjen janë lëshuar për pothuajse 50 plazhe në Angli dhe Uells, pasi shiu i dendur bëri që ujërat e zeza të derdheshin në lumenj dhe në dete.
Eurodeputetët francezë akuzojnë Britaninë e Madhe për neglizhencë në respektimin e angazhimeve mjedisore dhe rrezikim të jetës detare dhe peshkimit.
Kompanitë britanike të ujit kanë thënë se po investojnë në zgjidhjen e problemit.
Që nga largimi i saj nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe ka neglizhuar angazhimet e saj mjedisore, thanë eurodeputetët në një letër duke bërë thirrje për veprime ligjore ose politike nga Komisioni Europian.
Një zëdhënës i qeverisë së Britanisë së Madhe tha se pretendimi i tyre ishte "thjesht i pavërtetë".
Pavarësisht se nuk është më e detyruar nga ligjet e BE-së, Britania e Madhe është ende një nënshkruese e konventave përkatëse të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e ujërave të përbashkëta, argumentuan deputetët.
Të tre eurodeputetët i përkasin të gjithë partisë pro-BE ‘En Marche’ të Presidentit francez Emmanuel Macron. Njëri prej tyre, Pierre Karleskind, kryeson komitetin e peshkimit të Parlamentit Europian.
Eurodeputetët paralajmërojnë se në afat të shkurtër rrjedhjet e ujërave të zeza rrezikojnë ujërat e pastra në bregdetin francez dhe gjithashtu mund të dëmtojnë biodiversitetin detar, peshkimin dhe kultivimin e butakëve.