Koncesionari i dializës ka përfituar 115 milionë lekë për shërbime të pakryera.
Shoqëria koncesionare ka arritur të përfitojë pagesa për shërbimin e dializës në dy rajone të vendit, Korçë dhe Elbasan për periudha kur shërbimi në rajonet në fjalë nuk ka ekzistuar, sipas një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Përfitimi i pagesës është mundësuar falë një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit.
Mosmarrëveshja midis FSDKSH dhe koncesionarit lidhet me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit, ku Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga MSHMS, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave, përkatësisht për Rajonin e Elbasanit më datë 27.03.2017 dhe për Rajonin e Korçës më datë 21.04.2017.
Koncesionari ka pretenduar që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016 (sipas kontratës së koncesionit), pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar: pra, për periudhën 01.11.2016-27.03.2017 për Rajonin e Elbasanit dhe 01.11.2016 -21.04.2017 për rajonin e Korçës.
Shoqëria koncesionare e ka argumentuar kërkesën e saj me faktin se vonesat në vënien në funksionim të qendrave të dializës për rajonet Korçë dhe Elbasan janë lidhur me zvarritjen në zbardhjen e lejeve të ndërtimit dhe duke pretenduar përgjegjësinë për këto vonesa në kahun e autoritetit kontraktor.
FSDKSH pretendon se nuk ka pasur dijeni për ekzistencën e vendimit gjyqësor dhe nuk ka marrë pjesë në zhvillimin e çështjes gjyqësore të zhvilluar në shkallën e parë dhe në apelit dhe se ka marrë dijeni vetëm kur pala tjetër ka nisur aplikimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.
Faturat e lëshuara nga koncesionari që përbëjnë objekt të vendimit gjyqësor nuk përfshijnë dhënie shërbimi, duke qenë se qendrat e ofrimit të shërbimit të dializës në Elbasan dhe Korçë nuk kanë qenë funksionale përgjatë periudhës së faturimit. Mungesa e dhënies së shërbimit konstatohet edhe nga korrespondenca zyrtare mes palëve, kur vetë koncesionari njofton nisjen e ofrimit të shërbimit vetëm në vitin 2017.
Në nenin 3.8.1 të kontratës së koncesionit, thuhet se “…Për të hequr çdo dyshim, data e fillimit të koncesionit do të fillojë vetëm në momentin kur qendra e fundit shëndetësore do të fillojë dhënien e shërbimit, pavarësisht faktik që shërbimi mund të ketë filluar në qendrat e tjera përpara kësaj datë….”.
Faturat tatimore objekt gjykimi nuk janë pranuar nga Drejtoritë Rajonale të Fondit dhe nuk janë të firmosura, ndërsa Koncesionari ka faturuar FSDKSH, megjithëse me anë të shkresave përkatëse të sipërcituara ka pohuar që nuk ka qenë në gjendje të ofrojë shërbim në rajonet dhe sipas periudhave përkatëse, pasi nuk ka pasur as mjetet dhe as ambientet për ofrimin e shërbimit.
Shërbimi i dializës, gjatë kohës që koncesionari ka faturuar, është ofruar nga spitalet publike me fonde buxhetore të akorduara për to dhe pagesa e këtyre faturave ka sjellë përdorim të dyfishtë të fondeve buxhetore për të njëjtët pacientë, ku në rastin e fondeve të faturuara nga koncesionari, shërbimi nuk është dhënë fare.
Kështu nuk janë ezauruar hapat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mirëkuptim sipas kontratës koncesionare të dializës dhe në të njëjtën kohë nuk janë kundërshtuar faturat e paraqitura nga koncesionari në gjykatat kompetente në kohën e faturimit.
Nga ana tjetër Autoriteti kontraktor, Ministria e Shëndetësisë dhe autoriteti financues i kontratës (FSDKSH) kanë qenë në dijeni të problematikës së krijuar dhe nuk janë marrë masat e duhura për adresimin në kohë të tyre si dhe duke mos reaguar në formën e përcaktuar në kontratën koncesionare dhe të financimit.
Si pasojë janë marrë fonde buxhetore për shërbim të pakryer dhe referuar pikës 10.1 të kontratës së financimit ku është cituar që “Përbëjnë dëm ekonomik për Fondin rastet kur pasi është bërë pagesa ndaj koncesionarit vërtetohet se shërbimet e pretenduara nuk janë kryer. Në këto raste koncesionari do të paguajë vlerën e plotë të dëmit të konstatuar. Kthimi i vlerës së dëmit bëhet në mënyrë të menjëhershme nga vetë koncesionari ose i zbritet nga pagesat pasardhëse deri në plotësimin e shumës.”
Mbështetur në dispozitën e mësipërme, nga FSDKSH duhet të ishin marrë masa për rikuperimin e shumës që koncesionari ka përfituar për shërbime që nuk i ka ofruar.
Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofronte shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Në qershor 2019, koncesioni i hemodilaizës u shit nga kompania Dia Vita tek Diaverum International AB. Ky transaksion nuk u miratua në atë kohë nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vendimin e bërë publik nga ana e Autoritetit të Konkurrencës në atë kohë nënvizohej se arsyeja se pse nuk është dhënë autorizimi për realizmin e përqendrimit është mosplotësimi i kushteve që kërkon ligji. Sipas Konkurrencës ligji sanksionon dy kritere ku i pari përfitimi i kontrollit dhe i dyti xhiroja që duhet të ketë në vitin paraardhës financiar. Të dyja këto duhet të ekzistojnë njëkohësisht, janë kumulative. Kushti i dytë që lidhet me xhirron nuk plotësohet nga ana e kompanisë blerëse pasi në vitin 2018 xhiroja e saj ishte zero.
Si e mori Klodian Allajbeu konçesionin e hemodializës:
Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një koncesion 10-vjeçar shumë-milionësh një kompanie pak të njohur dhe pa eksperiencë, pronarja e së cilës ka lidhje farefisnore me drejtuesin e Spitalit Amerikan por jeton me të ardhura e një bar kafeje në Berat.
Bar kafeja pa emër e familjes Fetiu në lagjen Barrikada në Berat | Foto nga : Besar Likmeta
Në rrugën “Barrikada” në periferi të Beratit, një bar- kafe pa emër mban dyert hapur në pritje të klientëve të paktë. Lokali në ngjyrë gri dhe çadra ngjyre violë është bosh mesditën e së mërkurës, me përjashtim të një tavoline mbi trotuar, ku qëndron i ulur me një shishe birre në dorë pronari-Sali Fetiu dhe një bashkëmoshatar i tij.
I ndërtuar në gjurmët e një ish-gomisterie disa vjet pas rënies së regjimit komunist, lokali ushqeu shpresat e familjes së Sali Fetiut për më shumë se një dekadë, si i vetmi burim të ardhurash.
Megjithatë, kjo kafe modeste në qytetin e Beratit është sot origjina e kompanisë “Evita” sh.p.k, fituese e freskët e njërit prej koncesioneve për partneritet publik-privat më të mëdha në historinë e mjekësisë shqiptare. [Kliko këtu për ekstraktin e kompanisë nga QKR]
Më 20 tetor, Ministria e Shëndetësisë e shpalli “Evita shpk” fituese të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë asaj një kontratë 10 vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë dollarë) në total.
“Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, QKR, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin.
BIRN tentoi të kontaktonte me aksioneren Majlinda Fetiu përmes telefonit të shtëpisë dhe atij celular, pa mundur ta arrijë atë. Në lokalin e familjes në periferi të Beratit, bashkëshorti i saj, Sali Fetiu shpjegoi se Majlinda kishte ikur në Tiranë, për shkak të problemeve shëndetësore.
Sali Fetiu pranoi që kompania në emër të bashkëshortes kishte fituar koncesionin, por refuzoi të jepte shpjegime në lidhje me aktivitetin e saj. “Fola shumë dhe kaq. Unë me 6 klasë shkollë jam,” tha ai duke tundur dorën me bezdi.
E pyetur për eksperiencën dhe kapacitetet e kompanisë fituese, “Evita” shpk, edhe administratorja Elona Saraçi gjithashtu nuk pranoi të jepte shpjegime. “Sipas draft kontratës që jemi duke lidhur me autoritetin kontraktor (Ministria e Shëndetësisë), çdo informacion rreth kësaj procedure/kontrate është konfidencial dhe kusht për humbje kontrate,” tha Saraçi përmes një mesazhi telefonik.
Mbetet e paqartë se mbi cilat kritere “Evita” shpk u përzgjodh fituese përballë tetë konkurrentëve të tjerë në garë, pronarja e kompanisë, Majlinda Fetiu është rezidente në Berat dhe nuk ushtron ndonjë profesion të lidhur me shëndetësinë.
Pa lidhje në dukje me fushën e mjekësisë, Majlinda Fetiu rezulton megjithatë të ketë lidhje gjaku me administratorin e Spitalit Amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu, Fetiu është vajza e xhaxhait të Allajbeut.
Ndryshe nga Majlinda Fetiu, administratorja e kompanisë, Elona Saraçi ka studiuar për Farmaci në Universitetin e Tiranës. Para se të emërohej administratore e “Evita” shpk, Saraçi ka punuar për një kompani farmaceutike dhe për Spitalin Amerikan.