
Në fillim të 2020-s, mediat denoncuan se si po shfrytëzonte pozitën e duopolit kompania Union Net, duke vendosur në Shqipëri tarifat më të larta për transfertat e parave në rajon dhe ndër më të lartat në botë.
Union Net, që në Shqipëri ka të drejtën ekskluzive të Western Union u akuzua se vendoste tarifa dhe komisione shumë më të larta se sa sugjerimi i vetë Western Union. Por, çfarë bën kompania dhe dy aksionerët e saj kryesorë, vëllezërit Edmond dhe Niko Leka? Në vend që të reflektonin edhe një rekomandim e objektiv të Bankës së Shqipërisë duke ulur komisionet, gjetën si zgjidhje ndryshimin e emrit.
Më 13 gusht, përmes një mbledhje të Asamblesë së Ortakëve, ku Edmond dhe Niko Leka zotërojnë 70 për qind të aksioneve, nga 35 për qind secili, vendosin që të shkrijnë Union Net te kompania “Union Grup”, ku sërish kanë 70 për qind të aksioneve dhe Edmond Leka është administrator. Ndërkohë, në terren Union Net ndryshoi emër dhe u bë ‘Unioni Financiar Tiranë’.
Pas këtij ndryshimi, faqja zyrtare në internet e Union Net (https://unionifinanciar.al) u bë UFT. Gjithsesi, ndryshe nga Western Union, tek kjo faqe tarifa e komisionit ishte vendosur me fasha të ndryshme parash, por dukshëm më të larta se tarifat referencë të Western Union.
Dhe ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron. Komisionet e transfertave nuk u ulën dhe këto tarifa rëndojnë më shumë mbi xhepin e emigrantëve shqiptarë që u dërgojnë para fëmijëve, prindërve pensionistë apo të afërm të tjerë.
Në 2021, remitancat kapën shifrën rekord prej 761 mln eurosh, që do të thotë se nga këto para vetëm kostoja e shërbimit të transferimeve ka kushtuar rreth 60 mln euro. Vetë ‘Unioni Financiar Tiranë’ (ish-Union Net) deklaron fitim para tatimit rreth 4.25 miliardë lek të vjetra.
Komisionet në Shqipëri përllogariten aktualisht në një vlerë mesatare prej 9.5 për qind. Në varësi të vendeve, për dërgesat nga Italia komisionet janë 5 për qind, ndërsa më të shtrenjtat janë nga Zvicra me plot 24 për qind.
Kosto e dërgimit të remitancave në nivel global është 7.4 për qind, ndërsa mesatarja rajonale është 7.25 për qind. Pra, në Shqipëri kostoja e dërgimit të remitancave është më shumë se dy për qind më e lartë se mesatarja rajonale e globale.
Shifrat e nxjerra nga raportet e Bankës së Shqipërisë janë një tjetër provë se Shqipëria renditet ndër vendet me komisionet më të larta në botë të krahasueshme me Afganistanin. Kostoja në Afganistan është e kuptueshme për shkak të mungesës së infrastrukturës, po në Shqipëri çfarë e rrit këtë kosto në një kohë që Qeveria ka shpallur ‘revolucionin digjital’?
Përgjigja mbërrin vetëm nga duopoli, ku Union Net i shndërruar në UFT, apo Union Grup i Edmond Lekës zotëron mbi 60 për qind të tregut dhe nën logon e siglën e ekskluzivitetit të Western Union abuzon me tarifat.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.