Në Butrint do të shpenzohen 4 mln dollarë për të ndërtuar, përfshi bare e restorante

29 April 2022, 19:21Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në Butrint do të shpenzohen 4 mln dollarë për të

Plani i biznesit i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit nuk u bë zyrtarisht publik, ashtu siç është bërë akti i themelimit të këtij fondacioni dhe marrëveshja e nënshkruar me Ministrinë e Kulturës.

Në aktin e themelimit thuhet ndër të tjera se për të realizuar aktivitetin e vet, fondacioni mund të ngrejë bare dhe restorante. Por, ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se paratë do të përdoren për qëllime shkencore dhe arkeologjike.

“Butrinti është një pasuri botërore në UNESCO dhe si e tillë duhet të arrijë në lartësinë e vendeve të tjera. Kemi vendosur si objektiv të kemi 110 persona të punësuar dhe kemi menduar që ky fondacion të kontribuojë me grante për mbështetje të punonjësve lokalë", deklaroi ministrja.

Sipas ministres, në arkën e parkut janë 2.1 mln dollarë, ndërsa i gjithë plani i biznesit përfshin 7.1 mln. Diferenca prej 5 mln dollarësh do të vihet në dispozicion nga fondacioni. "Fondi shkon vetëm për programe të trashëgimisë kulturore. Paratë që do të shtohen do të shkojnë në kasën e Butrintit. Afërsisht 1 mln dollarë do të shkojnë për pjesën arkeologjike”, tha ministrja.

Deklarata është gjysmë e vërtetë dhe gjysmë të vërtetat, siç thotë shpesh Kryeministri Edi Rama kur u referohet lajmeve nga mediat, janë më të dëmshme se gënjeshtrat. Pse është gjysmë e vërtetë?

Voxnews.al ka siguruar pjesë nga plani i biznesit. Në të thuhet se investimi total përllogaritet në rreth 7.5 mln dollarë, ku pjesa më e madhe e parave do të shkojnë për ngritjen e strukturuave të reja për vizitorët dhe stafin, pra restorantet, baret dhe njësi të tjera akomodimi. Për këtë pjesë janë përcaktuar 60 për qind e fondeve, ose rreth 4 mln dollarë.

Për pjesën tjetër, pra atë shkencore dhe të ruajtjes së trashëgimisë janë përcaktuar 3.5 mln dollarët, nga të cilat 2.1 i ka vetë në arkë parku i Butrintit.

“Projekti në tërësi gjeneron sufiçit operativ vjetor në vitin 3 dhe suficit të akumuluar në vitin 7 ku ai operon me fitim prej afërsisht 1.5 milionë USD në vitin pasardhës”, shkruhet më tej në planin e biznesit.Plani parashikon investime prej 7.1 milionë USD, nga të cilat, 4.99 milionë USD do t’i investojë Fondi ndërsa 2.1 milionë do t’i investojë qeveria me paratë e taksapaguesve. Plani i biznesit parashikon shtimin e të punësuarve në parkun arkeologjik nga 14 që janë aktualisht deri në 110 vetë.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që bordi i drejtorëve të fondacionit, një institucion me pesë vetë, nuk do të marrë paga, por atyre do t’u mbulohen shpenzimet për vete dhe një staf ndihmës prej pesë vetësh me një kosto të përgjithshme prej 140 mijë dollarësh në vit.

E thënë më thjeshtë, pesë anëtarët e bordit dhe pesë ndihmësit e tyre do të paguhen mesatarisht nga 14 mijë dollarë në vit, në një kohë që paga mesatare vjetore në Shqipëri është më pak se 7 mijë dollarë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video