Në harkun kohor të pak javëve, dy prej biznesmenëve më të fuqishëm e të përfolur në vend për lidhje të forta me qeverinë përmes lobimit për të siguruar favore në kurriz të interesit publik u shndërruan në pronarë mediash.
Megjithëse tregu i televizioneve është në rënie të vazhdueshme prej vitesh, Samir Mane e Shefqet Kastrati vendosën që të hyjnë në botën mediatike, përmes blerjes së dy televizioneve të profileve të ndryshme. Mane bleu Scan Tv, një televizion me profil ekonomik, ndërsa Kastrati mori Euronews Albania, televizion me profil informativ.
Për asnjërin transaksion nuk ka të dhëna se sa është shifra që dy oligarkët kanë shpenzuar për të blerë televizionet në fjalë, ndërsa këto lëvizje ngrenë dyshime mbi qëllimet e vërteta që qëndrojnë pas këtyre blerjeve.
Si Mane, ashtu edhe Kastrati shquhen si biznesmenë praktikë, ku herë me favore e herë me procedura të dyshimta e ekstraligjore kanë siguruar prej qeverisë prona publike nën petkun e investitorit strategjik, e deri te krijimi i monopoleve në treg. Si shembull, Mane qëndron pas një vendimi të qeverisë që goditi blerjet online, ndërsa Kastrati te vendimet që i dhanë Porto Romanon e traun në Rrugën e Kombit.
Pra, ata kërkojnë që ta kenë të sigurt fitimin dhe nëse s’e kanë të tillë, ta garantojnë atë përmes kontratave koncesionare që nënshkruajnë me qeverinë, si në rastin e trafikut të munguar të Kastratit në Rrugën e Kombit.
A e kanë të sigurt te televizionet që kanë blerë? Nga 2015 e deri më tani, Scan ka raportuar bilance thuajse zero, me përjashtim të 2017-s, kur deklaron rreth 30 mln lek humbje. Ndërkohë, Euronews Albania në dy vitet e para akumuloi humbje në vlerën e 600 mln lekëve.
Në kohën kur televizionet po humbasin përditë treg dhe tregu i reklamave po orientohet gjithnjë e më shumë drejt botës online, cilat janë fitimet që dy oligarkët parashikojnë nga televizionet që kanë blerë, aq më tepër që në të dyja rastet pas blerjes dy televizionet përkatëse kanë dalë me deklarata duke garantuar se profili i tyre nuk do të ndryshojë?
Kësaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje vetëm me dyshimin se televizionet e blera janë mjet ndikimi e presioni ndaj qeverisë për të mbrojtur favoret e grumbulluara gjithë këto vite dhe të siguruar favore të tjera përmes praktikave të dyshimta korruptive.
Televizionet mund të jenë gjithashtu një mjet mbrojtës ndaj gjobave që u kanë vënë mediat deri më tani dhe në këtë rast, ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë ndjekur rrugën që më parë e çau Klodian Allajbeu, i konsideruar si ‘oligarku’ i spitaleve me blerjen e ABC News, apo Endri Meksi, që investon miliona lek në burime njerëzore e teknologji te MCN TV.
E përbashkëta e tyre është se në të gjitha blerjet e investimet, transparenca është thuajse zero. Si shembull, as Mane dhe as Kastrati nuk kanë bërë publik kontratat e blerjeve dhe as shifrën e këtyre transaksioneve që i futën në botën e medias. Këtë s’e ka bërë as Allajbeu më parë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.