Ditën e mërkurë qeveria shqiptare miratoi një marrëveshjeje mes Ministrisë së së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti në rrjetin social Facebook shkruante se “së bashku me partnerin strategjik, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ministria kishte themeluar fondacionin e posaçëm të menaxhimit të Butrintit”.
“Ka pasur shumë debate, pikëpyetje, keqinformime, por gjej rastin të qetësoj këdo në lidhje me pronësinë e Butrintit, se në çdo rast, pronësia e territorit dhe aseteve i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit” tha zonja Margariti.
Marrëveshja sipas ministres parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.
Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.
Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.
Marrëveshja e miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 - 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.
Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare ngritën shqetësime gushtin e vitit 2020 kur u prezantua Plani i menaxhimit të Butrintit për një formë të tillë menaxhimi përmes fondacioneve jo-shtetërore.
Zëri i Amerikës shkruan se arkeologu i njohur Neritan Ceka tha se Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar.
Ndërsa studiuesi Agron Alibali, tha se Shqipëria ishte në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “Shtete Palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.
Në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 ha në 8.622,2 ha në kuadër të shqyrtimit të kufijve të disa parqeve natyrore dhe kombëtare në vend.

Sipas hartës së bashkëngjitur vendimit të qeverisë për Butrintin një sipërfaqe prej rreth 800 ha nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike.
Plani i Menaxhimit për Butrintin
Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019. Dokumenti i hartuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës i njohur si “Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, është miratuar nga Këshilli i Ministrave në korrik të vitit 2020.
“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.
Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.