
Në vendimin për rritjen e pensioneve me 3.3 për qind, Qeveria thotë se po i indekson moshës së tretë rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Pensionet rriten për 18 kategori, duke filluar nga 1 prilli dhe rritja varion sipas kategorive nga 250 lek, deri në afërsisht 1 mijë lek.
Nëse kihet parasysh që vetëm një litër vaj gatimi ka shkuar në treg rreth 4 mijë lek, indeksimi i qeverisë tingëllon i pamjaftueshëm. Por, i pamjaftueshëm nuk është vetëm në perceptim. Sipas të dhënave të publikuara nga Instat, inflacionin i çmimeve të konsumit në muajin shkurt ishte 0.6 për qind më i lartë se indeksimi i pensioneve nga qeveria.
Rritja më e fortë e çmimeve në krahasim me mesataren e vitit të kaluar raportohet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 6.9 për qind.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4 për qind, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10,1 për qind, “fruta” me 7,0 për qind, “bukë dhe drithra” me 6,8 për qind, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6,7 për qind, “mish” me 3,9 për qind, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,3 për qind.
Sipas këtyre të dhënave të Instat, indeksimi i pensioneve që ka bërë qeveria do t’u shërbejë pensionistëve për të kompensuar rritjen e çmimeve vetëm në grupin “qumësht, djathë dhe vezë”, pasi produktet e tjera shkojnë nga dy deri në pesëfish më shtrenjtë se vlera modeste e rritjes së pensioneve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.