Liqeni i Fierzës prej ditësh na ofron një pamje të trishtë. Është i zbrazët, pa ujë. Dhe për ironi të fatit zbrazja e Fierzës ka nxjerr në pah edhe krimin mjedisor që është bërë më të gjatë këtyre viteve.
Zef Çuni këtë fundjavë postoi një foto në rrjetet sociale ku shkruan:
“Liqeni e Fierzës sot. Ndoshta ju shikoni thatësirën, por unë shikoj shishet e plehrat plastike. Është i mbjellë pa fund i gjithë shtrati me plastikë e plehra. Mendoni sa kanë kaluar pa rënë në fund. E pra nuk është rastësi që nuk ka ujë, nuk është fatkeqësi e natyrës, por e njeriut”.
Fatin e Fierzës e kanë edhe shumë lumenj në Shqipëri. Dora e njeriut e paska të vështirë t’i lërë të rrjedhin në shtratin e tyre pa ndërhyrë duke i dëmtuar, e për pasojë duke dëmtuar edhe veten në një kohë të caktuar kur natyra do na e kthejë mbrapsht, me siguri.
Ajo që ndodh me lumenjtë në Shqipëri është një krim që pasojat ndoshta nuk i shohim tani, por në të ardhmen do ta paguajmë.
Bizneset në vendin tonë për të fituar sa më shumë i trajtojnë lumenjtë si gropa ku mund të hedhin gjithçka, pa u shqetësuar për dëmin që shkaktojnë duke shkelur ligje e konventa mjedisore. Po organet qeveritare çfarë po bëjnë? Deri tani vetëm deklarata dhe zero veprime.
Çfarë ka thënë Rama për Mjedisin?
Në shtator të vitit të kaluar, kur Edi Rama nisi mandatin e tretë si Kryeministër kishte si kryefjalë dhe objektiv kryesor: mjedisin.
Në muajin tetor ai mblodhi të gjithë kryebashkiakët, që janë po të partisë së tij dhe i paralajmëroi se do të humbisnin postin nëse nuk pastronin territorin që kanë nën administrim.
Ai parashtroi sanksione ndaj të pabindurve, nga moslëvrimi i fondeve e granteve, që për pjesën dërrmuese të bashkive janë burimi kryesor i të ardhurave, deri në marrjen e bashkive, ose çuarjen përpara prokurorisë të kryebashkiakëve, nëse këta të fundit nuk vendosin buxhetin e nevojshëm për pastrimin.
Një tjetër pikë ishte dhe sanksionet maksimale, nga gjobat e majme deri te pezullimi i lejeve ndaj çdo biznesi që menaxhon mbetje spitalore, apo kompani ndërtimi që nuk hedhin inertet në vendet e caktuara. Pas Kryeministrit ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro që ngriti zërin dhe paralajmëroi masa drastike për abuzuesit.
Kjo është ajo që premtoi Qeveria “Rama”, por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.
Realiteti flet krejt ndryshe dhe ligji e rregullat janë vetëm në teori. Në praktikë, masat qeverisë për mbrojtjen e mjedisit duket se janë vetëm për qytetarët e thjeshtë dhe për bizneset e vogla.
Oligarkët shqiptarë, ata të cilët janë bërë meme jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në pankartat e protestave, akuzohen përditë se po shfrytëzojnë gjithçka vetëm për të fituar të ardhura. Por pangopësia e tyre nuk ndalet as tek mbetjet. Edhe këtu duan të përfitojnë.
Rasti që Voxnews.al paraqet me video dhe foto, nuk është thjesht skandal, por është krim i rëndë mjedisor dhe në këtë rast nuk mjafton vetëm vëmendja e Kryeministrit dhe e Qeverisë, por edhe e organeve ligjzbatuese, siç është Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, sepse nën hundën e tyre dhe në mes të Tiranës, po kryhet kjo vepër penale.
Çfarë po ndodh nga dy biznese që janë afër qeverisë?
Biznesmeni Shefqet Kastrati, pasi bleu Hotel Sheraton, që më pas e bëri Mak Albania, mori leje për të ndërtuar disa kulla të tjera në atë zonë, duke shkelur të rregullat mjedisore dhe duke dëmtuar kurorën e gjelbër të Parkut të Liqenit.
Si të mos mjaftohej me kaq, pra duke betonizuar një pjesë të asaj që njihet si mushkëria e Tiranës, me mijëra tonë inerte e dhe Kastrati nuk i hedh si shumica e ndërtuesve të tjerë në vendet e përcaktuara, por në... lumenj.
Fillimisht Kastrati kishte nënkontraktuar kompaninë Alessio 2014 sh.p. k. e cila zbatonte rregullat dhe i depozitonte inertet në vendet e përcaktuara. Kjo zgjati deri para disa ditësh kur marrëdhënia mes tyre u ndërpre.
Më pas del në skenë mjeshtri i inerteve dhe shkatërrimit të lumenjve, Pëllumb Salillari.
Ky i fundit merr përsipër të bëhet bashkëpunëtori i Kastratit në shkeljen e ligjeve e rregullave mjedisore, duke depozituar inertet në afërsi të lumit Erzen, kilometri 20 Tiranë-Elbasan.
Depozitimi i mbetjeve të tilla në lumenj po shkatërron me shpejtësi ekosistemet e tyre, madje në shumë raste ka ndikuar edhe në devijimin dhe zgjerimin e shtretërve natyrale të tyre, duke pasuar një efekt zinxhir dhe me dëme të pallogaritshme, sidomos në pjesën pranë grykëderdhjes, ku veç ndotjes që depozitojnë në det, kanë shkatërruar edhe dhjetëra hektarë tokë pjellorë në zonat nga kalojnë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.