Shqipëria me potenciale të mëdha energjetike, por mbetet me varësi të lartë nga importi

30 March 2022, 13:29Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shqipëria me potenciale të mëdha energjetike, por mbetet me

Shqipëria ka paguar e investuar me mijëra euro, herë nga buxheti i shtetit e herë si donacione të partnerëve ndërkombëtarë për të hartuar strategji të zhvillimit të sektorit energjitik. Në letër strategjitë janë të bukura.

Nëse Sali Berisha fliste 10-12 vite më parë për shndërrimin e vendit në një superfuqi energjitike rajonale, (madje në një moment duke folur edhe për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër), Edi Rama flet sot për shndërrimin e vendit në një eksportues neto. Ideja e Berishës, më shumë se sa plan e strategji për të shndërruar vendin në një superfuqi energjitike në rajon, ishte një masakër mjedisore me dhënie lejesh ndërtimi hidrocentralesh edhe në përrenj që rridhnin ujë me pikatore.

Për këtë u hartua edhe një skemë rimbursimi TVSh-je për këta investitorë. Mbi 300 leje HEC-esh u dhanë vetëm në mandatin e dytë, të bujshme ato të Valbonës, të cilat vite më vonë u cilësuan nga gjykata si leje antiligjore që kërcënonin një prej zonave më të bukura natyrore të Shqipërisë.

Rama sot është përqendruar të Skavica, një investim e projekt që iu deshën dy mandate për të nisur punën, e që më shumë se me hir, amerikanët ja morën me pahir Kryeministrit. Deri kur Skavica të prodhojë energji do të duhen edhe disa vite të tjera përpara.

Projekte të tjera të nisura nga Rama është edhe parku eolik i Akërnisë, gjithashtu në letër. Ky projekt para se të prodhojë energji prodhoi një padi ndaj Shqipërisë. Në 10 nëntor 2018, qeveria shqiptare shpalli fituesin që do të ndërtonte parkun e parë fotovoltaik në vend, atë të Akërnisë dhe bëhej fjalë për konsorciumin India Power Corporation LTD. Kontrata nuk u nënshkrua asnjëherë dhe në 2020, kompania ka ngritur një pretendim në arbitrazhet ndërkombëtare duke kërkuar 110 mln euro.

Këta janë pak shembuj ilustrues më së miri që tregojnë se keqqeverisja 30-vjeçare e vendit po jep sot frytet e veta, sepse në të gjitha studimet në këtë fushë, vendase dhe të huaja Shqipëria vlerësohet për potencialin e jashtëzakonshëm që ka në krahasim me vendet e rajonit për prodhimin e energjisë elektrike.

Por, një raport i Eurostat për varësinë nga importi i energjisë elektrike, e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në rajon dhe e teta në Europë. Sipas Eurostat, importet neto të energjisë së rinovueshme përbëjnë 14.7 për qind të konsumit total të vendit.

Edhe Kosova që ka më pak lumenj dhe mundësi për të zgjeruar burimet e rinovueshme të energjisë elektrike është thuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë, ku në 2020 kishte rreth 16 për qind, po aq sa Maqedonia e Veriut.

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video