Me paketën e rezistencës sociale Qeveria po ndihmon veten, jo qytetarët

1 April 2022, 18:21Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Me paketën e rezistencës sociale Qeveria po ndihmon veten, jo

Me Aktin Normativ nr. 3 datë 12.03.2022 u miratuan ndryshimet e planit të Buxhetit 2022, si rezultat i Paketës së Rezistencës Sociale, në kuadër të rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike shkaktuar nga lufta midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në planin e ndryshuar të buxhetit, shpenzime totale janë rreth 647.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 10 miliardë lek nga plani fillestar i miratuar prej 637.7 miliardë lekë. Plani i ndryshuar i të ardhurave rezulton 546.8 miliardë lek, duke shënuar një rritje prej 10 miliardë lekë nga plani fillestar i miratuar prej 536,8 miliardë lekë.

Shpenzimet Korrente planifikohen me një ulje prej 5.8 miliardë lekë. Me rënie planifikohen edhe shpenzimet kapitale me rreth 9.95 miliardë lekë.

Këto ulje shpenzimesh vijnë për të subvencionuar çmimin e energjisë, i cili në zërin shpenzime të tjera shënon rritje me 20 miliardë lekë “mbështetje buxhetore” .

Pra, qeveria po vazhdon të mbështes një sektor që prej vitesh është problematik dhe me detyrime të shumta duke e shtuar riskun në rritjen e borxhit publik.

Vetëm në fund të vitit 2021, shteti jonë ka dal garant nëpërmjet mjetit të garancisë për plot 152 milionë Euro të marra hua nga kompanitë publike energjitike edhe përse detyrimet e këtij sektori rriten nga dita në ditë.

Për të mos folur këtu për keqadministrimin e gjithë resurseve të vendit tonë, për të cilat na bekoi Zoti por na dënoi "Rama".

Përpara se qeveria të vendos të dal garant në kushte të tilla shumë mirë mund të rishikonte pagesat dhe kontratat koncesionare, ose shpenzimet e luksit të kabinetit të vet qeveritar.

Me Paketën e Rezistencës Sociale qeveria Rama nuk po ndihmon aspak popullin, por veten. Madje jo vetëm kaq, por po e kalon koston e krizës komplet te individët.

Mjafton të përmendim faktin se ndërsa një botë e tërë po rishikon TVSH-n mbi mallrat e konsumit, shportën bazë të ushqimeve, qeveria shqiptare këmbëngul për të kundërtën.

Kryeministri jonë jo vetëm që s’po merr asnjë masë, por po deklaron dita-ditës si fitore paketën e rezistencës sociale, të cilën do të ishte më mirë ta quante paketa e goditjes sociale.

Tek pret të vjelë të ardhura nga tatimet mbi konsumin si pasojë e rritjes së çmimit në eksport ai harron se rëndon kostot e konsumit edhe të 20% TVSH-së mbi çmimin bazë të rritur. Në një kohë që Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk aplikon asnjë zbritje dhe rezulton ndër vendet me normën më të lartë në Ballkan dhe jo vetëm.

Sikur vetëm shembullin e Maqedonisë të kishte ndjekur, e cila e uli TVSH-n për produktet bazë nga 5 në 0%.

Sikur...

Po sigurisht që jo. Qeveria Rama, nuk ndjek shembujt e mirë, sepse qeveria Rama nuk ka synim të ndihmojë konsumatorët. Ka synim të ndihmojë veten!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video