Kriteret kanë qenë dhe vijojnë të mbeten mekanizmat kryesorë në përcaktimin e fituesve të tenderave. Qëndisja e tyre sipas kostumit, apo numrit të këpucës së fituesit të paracaktuar është një praktikë e konsoliduar tashmë.
Për ta provuar këtë mjafton të kujtojmë kriteret e vendosura në një tender të Bashkisë së Vlorës, pak vite më parë, kur mes kritereve të vendosura ishte edhe ai që inxhinieri i punimeve civile të ishte diplomuar në vitin 1971.
Megjithatë, të rrallë janë ata që përmes pushtetit ekonomik dhe aferave të dyshuara korruptive ja kanë dalë mbanë që të orientojnë deri edhe qeverinë përmes ndërhyrjes të sigurojnë me ligj dhe vendime të Këshillit të Ministrave, koncesione dhe përfitime të tjera nga paratë e shqiptarëve. Më i suksesshmi mes tyre është Shefqet Kastrati.
“Kastrati Group” në pronësi 100 për qind të Shefqet Kastratit ka në pronësi 15 kompani satelite me aktivitet që shtrihen në të gjitha fushat ekonomike e sociale të vendit.
Të gjitha kompanitë e zotëruara, ose ku Shefqet Kastrati ka gjysmën ose më shumë të aksioneve:
► CONTINENTAL GROUP (ish "A.K.U.S GROUP")
► TIRANA INTERNATIONAL AIRPORT SHPK (TIA) ( Ish TIRANA AIRPORT PARTNERS SHPK (TAP))
► KASTRATI RESIDENCES
► Albanian Highway Concession
► KASTRATI
► AUTO STAR ALBANIA (Ish ASA AUTO STAR ALBANIA)
► MARINA LIMION
► ADRIATIC BAY INVESTMENT GROUP SHPK
► KASTRATI SHA
► KASTRATI OIL
► ALBANIA TREATMENT COMPANY
► MARINA BAY SARANDA
► LIRA M.P
► MAK ALBANIA
► KASTRATI HOTELS & TOWER
► RENDON OIL
► TENET
► AL - INSPEKTIM
► ALBANIA GAS TECH SHA (Ish "K A S T R I O T & PETROL " Sh.A)
► KAST & GAS
► KASTRIOTI & PETROL
► KST ADVERTISING
Sipas bilanceve të dorëzuara në QKR, nga gjitha kompanitë e Kastratit, tre janë më fitimprurëset. Kompania Tirana International Airport, që menaxhon aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, “Albanian Highway Concession”, që ka vendosur traun në Rrugën e Kombit dhe që sipas kontratës e ka të garantuar nga shteti fitimin e munguar dhe Kastrati, përmes të cilës Shefqet Kastrati përfiton mbi 50 mln euro në vit vetëm nga tenderat e karburanteve që fiton nga institucionet shtetërore.
Sipas të dhënave të Open Data Albania, vetëm Kastrati Group, pa përfshirë këtu 15 kompanitë e tjera satelite, ka 18 kontrata publike, që fillojnë nga Hasi në veri, e mbyllen në Konispol në jug. Vetëm vitet e fundit, përmes kompanive të tij Shefqet Kastrati ka arritur që të lobojë dhe sigurojë numrin më të lartë të ligjeve dhe VKM-ve të posaçme për bizneset e tij, plot shtatë të tilla.
Vendimet i kanë dhënë Aeroportin e Tiranës dhe Aeroportin e Kukësit, Rrugën e Kombit në formën e koncesioneve, ndërsa me 1 euro ka siguruar 350 mijë metër/katrorë tokë për ujin Selita dhe 2.6 mln metër/katrorë në Sarandë.
Zotëron gjithashtu koncesionin e Porto Romanos dhe portin ushtarak të Sarandës, të parin të përfituar me ligj, të dytin përmes një VKM-je. Të gjitha këto koncesione e bëjnë praktikisht Shefqet Kastratin të pranishëm në çdo qelizë të ekonomisë shqiptare dhe në një pjesë të mirë të kontratave me fitime të garantuara nga qeveria. Kjo është arsyeja se përse në 2019-n, Kastrati Group u rendit si kompania me fitimprurëse në vend.
2019-ta ishte viti i parë i plotë i funksionimit të koncesionit të traut në Rrugën e Kombit, ku që në këtë vit, kompania raportoi se nga bileta e kalimit kishte grumbulluar rreth 17 mln euro, ose 30 për qind e të gjithë shumës që ka premtuar se do të investojë në Rrugën e Kombit përgjatë koncesionit 30-vjeçar.
Përmes kompanisë “Kastrati” me NIPT J61813529P, Shefqet Kastrati siguron mbi gjysmën e tenderave për furnizimin e institucioneve vendore e qendrore të shtetit me karburant. Një pjesë e mirë e këtyre tenderave klasifikohen me flamur të kuq nga Open Data Albania për shkak të mungesës së konkurrencës në garë. Vetëm tenderat e karburanteve i sigurojnë Kastratit të ardhura vjetore të paktën 50 mln euro. Këtyre dy shifrave u shtohen miliona euro të tjera fitime nga Aeroporti i Rinasit dhe miliona të tjerë nga shitja e karburanteve me shumicë dhe pakicë, ku Kastrati zotëron pjesën e luanit në këtë treg.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.