Plazhi i Gjeneralit i jepet privatit, Komiteti e shpall investitor strategjik se do të hapë vende pune...sa një fasoneri

27 April 2022, 10:13Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Plazhi i Gjeneralit i jepet privatit, Komiteti e shpall investitor strategjik se
Këtë herë investitori strategjik ka marrë për 30 vite plazhin e Gjeneralit, njohur si një prej plazheve më të bukura të bregdetit shqiptar

Sa më shumë shtohen kritikat për përdorimin e ligjit të investitorit strategjik për të falur prona publike kryesisht në bregdet, aq më shumë duket se shtohet oreksi i Qeverisë për këto koncesione.

Pas investitorëve strategjikë në Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Gjirin e Lalëzit, radha i ka ardhur bregdetit të Kavajës. Këtë herë investitori strategjik ka marrë për 30 vite plazhin e Gjeneralit, njohur si një prej plazheve më të bukura të bregdetit shqiptar.

Vendimi është marrë në dhjetor të vitit të kaluar nga Komiteti i Investimeve Strategjike dhe i jep kompanisë “Mediteranian Wave” për realizimin e projektit me të njëjtin emër në hapësirën prej 635 mijë metër/katrorë prona publike.

Jo vetëm kaq. Vendimi i Komitetit detyron një sërë institucionesh që të vihen në shërbim të kompanisë private të zotëruar nga Shpëtim Shijaku, që të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme rrugore, elektrike dhe ujësjellësin.

Sipas vendimit, Bashkia e Kavajës detyrohet që të rishikojë planin e vet vendor për t’iu përshtatur projektit të kompanisë private për zhvillimin e kësaj zone. Por, çfarë ka strategjike ky investim strategjik?

Nga vendimi i Komitetit thuhet se për realizimin e tij do të punësohen vetëm 80 persona, aq sa ka mesatarisht një fasoneri. Por, për dallim nga fasoneritë, statusi strategjik i jep ‘Mediteranean Ëave’ dhe Shpëtim Shijakut zotërimin për 30 vite të 63.5 hektarë prona publike si dhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit po për këtë periudhë.

Brenda territorit të dhënë për realizimin e këtij projekti ndodhet edhe “Foleza e Bardhorit”, klasifikuar që në 2019 si monument natyror, në të cilin zbatohet shkalla më e lartë e mbrojtjes, sipas vetë vendimit numër 303 të datës 10 maj të 2019-s të Qeverisë.

Monumenti sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike do t’i lihet me mirëbesim investitorit strategjik që ta ruajë dhe kujdeset në perimetrin kufizues me të.

“Për këtë qëllim, investitori të respektojë dhe të zbatojë me korrektësi kushtet e lejes mjedisore, përgjatë vijës ndarëse me kufirin e monumentit. Kufiri i MN “Foleza e Bardhorit” dhe koordinatat Investitorit nuk i lejohet asnjë lloj veprimtarie brenda këtij monumenti”, thuhet në vendimin e Komitetit.

Por çfarë parashikon projekti? Sipas dokumentacionit të dorëzuar nga kompania gjatë aplikimit për statusin e investitorit strategjik, ajo thotë se do të investojë mbi 50 mln dollarë dhe ashtu si shumica e investitorëve strategjikë të këtij lloji, edhe në këtë zonë projekti parashikon hotele dhe vila luksoze për të pasurit.

Projekti i investimit synon ndërtimin e një kompleksi turistik, i cili do të jetë multidimensional në tipologjitë e akomodimit dhe faciliteteve që do t’u ofrojë pushuesve dhe vizitorëve. Kompleksi do të ketë në përbërje hotele, vila hotelerie (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe dhe hapësira për aktivitete dhe sistemime të vijës bregdetare.

Struktura akomoduese do të ketë rreth 250 njësi (përfshi vila hotelerie, studio, apartament hotel), 170 dhoma dhe suita hoteli dhe më shumë se 700 vende parkimi, 150 shtëpi me tarracë dhe 5 parqe të gjelbëruara.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video