Një skemë abuzimi është zbuluar nga vetë mjekët e spitalit të Traumës, të cilët i çojnë pacientët e tyre drejt farmacive private me receta mijëra euro.
Në një aksident rrugor, në Lezhë në qershor të vitit 2021, bashkëshortja e A. D., pësoi dëmtime të rënda në këmbë dhe për pasojë mjekët rekomanduan ndërhyrje të menjëhershme.
Dëmtimet e shumta e detyruan të nisej drejt spitalit të Traumës, ku mjeku ka konkluduar se pacientja ka nevojë për një ndërhyrje delikate, por vidat fiksuese për dy pllakat e gjurit, që do i vendoseshin të sëmurës, nuk gjendeshin në farmacinë e spitalit. Në këtë situatë, mjeku iu ka plotësuar një recetë familjarëve dhe iu ka rekomanduar që të blejnë vida kortikale, auto-filante 3.5 mm me gjatësi nga 10 mm deri në 12 mm në farmacinë përballë spitalit.
“Mjeku më tregoi një mesazh, ku sqarohej se nuk i kishin këto pajisje për fiksimin e kockave, duke më drejtuar në njërën prej farmacive që ndodhet pranë spitalit për të blerë pllaka dhe vida”, – thotë A.D, shkruan Ina Media.

Receta e dorëzuar nga mjeku te familjari për materiale ortopedike. Ndryshe nga pretendimi i mjekut, që e ka drejtuar pacientin drejt farmacisë private, ky produkt ndodhej në të vërtetë në magazinat e spitalit.
Referuar përgjigjes zyrtare, të mbërritur nga spitali i Traumës në lidhje me pajisjet ortopedike, rezulton se pikërisht në periudhën që pacienti është dërguar në klinikën private për të blerë materialet e nevojshme, spitali i kishte në gjendje.

Konkretisht, referuar kësaj liste spitali kishte gjendje plot 605 copë vida kortikale, auto-filante 3.5 mm me gjatësi nga 10 mm deri në 12 mm, duke ngritur dyshime se kjo është një skemë se si “vidhen” pacientët në spitalet publike; ndërkohë që me dokumente gjithçka funksionon shumë mirë, materialet janë në gjendje dhe pretendohet që pacientët e marrin.
Në këto kushte, skema është e njohur: mjekët i drejtojnë të afërmit e pacientëve në farmaci, ku materialet ortopedike blihen me çmime të kripura. Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, Investigative Netëork Albania nëpërmjet një shkrese për informacion kërkoi të mësonte se si ishte gjendja në magazinat e farmacisë së spitalit të Traumës. Në kthim-përgjigjen e spitalit, e cila ka mbërritur në shtator 2021, rezulton se plot 24 produkte mungonin dhe në kolonën e dokumentit shënohej “0 copë në magazinë”, por, sipas spitalit, këto pajisje mbuloheshin nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, 2-vjeçare.
Referuar listës së vënë në dispozicion nga vetë spitali i Traumës, një pjesë e pajisjeve ortopedike, që mungojnë, janë shumë të shtrenjta, variojnë nga qindra deri në mijëra euro.
Drejtoresha e spitalit të Traumës Edlira Bode, e cila e ka marrë këtë pozicion në tetor të vitit 2021, mohon që një gjë e tillë të ketë ndodhur, gjatë kohës që ajo e drejton këtë spital.
“Deri më tani nuk ka pasur asnjë indicie të një fenomeni të tillë. Në regjistër është lehtësisht e verifikueshme, në momentin që krahasohen operacionet dhe pajisjet e dala nga magazinat, por në dijeninë time asnjë pacient nuk është ankuar në drejtorinë e spitalit”, – shfajësohet Bode.
Në këtë spital mungon një gamë shumë e madhe produktesh, mungesë që, jo vetëm vë në rrezik jetën e pacientëve, por rrit edhe barrën financiare të familjeve.
Pavarësisht marrëveshjes kuadër, sipas së cilës spitali duhet t’i ketë në gjendje këto pajisje për rastet emergjente, rezulton se nuk ka rezerva. Mungesat konfirmohen edhe nga vetë mjekët ortopedë të këtij spitali. Sipas tyre, këto instrumente janë shumë të rëndësishme në fiksimin e kockës me materiale metalike.