Aksidentohet minatori në minierën e Albchrome. Kompania e mban të fshehur ngjarjen

20 April 2022, 19:49Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Aksidentohet minatori në minierën e Albchrome. Kompania e mban të

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës njoftoi ditën e martë se një minator 54-vjeçar është aksidentuar në minierat e Albchrome.

Sipas Sindikatës i aksidentuar ka mbetur minatori Arben Stafa, i cili siç thotë ajo në njoftim ka humbur gishtat e këmbës. Sindikata akuzon kompaninë Albchrome se është përpjekur ta mbajë të fshehtë ngjarjen për të mos dalë në media.

“Siç ndodh rëndom tashmë, ky aksident është tentuar të mbahet i fshehtë. Lajmi nuk është bërë publik as prej policisë së shtetit, as prej mediave. Kjo praktikë e vazhdueshme e zhvlerësimit të shëndetit dhe jetës së punëtorëve, është e dënueshme”, thuhet në deklaratën e Sindikatës.

Ky është rast i përsëritur i aksidenteve në minierat shqiptare, ku ekspertët fajësojnë shfrytëzimin e tyre jashtë kritereve, mungesën e investimeve për sigurinë dhe mungesën e respektimit të kushteve teknike nga ana e kompanive.

Të paktën 11 aksidente janë denoncuar nga Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës të ndodhura gjatë vitit të kaluar vetëm në minierat e Albchrome. Deri në shtator të vitit të kaluar, në tre raste aksidentet ishin fatale, duke shkaktuar tre të vdekur, ndërsa në rastet e tjera minatorët pësuan dëmtime të qënësishme.

Kompania Albchrome ishte nën pronësi të Samir Manes deri në fund të vitit të kaluar, kur ai ja shiti atë turqëve të grupit Yildirim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video