Ekskluzive -VOX Arkiva / Shifrat dhe analiza: Të arratisurit dhe refugjatët 1945-1990

3 April 2022, 17:24Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive -VOX Arkiva / Shifrat dhe analiza: Të arratisurit dhe
Dokumentet e Arkivit të Shtetit

Diskutimet mbi çështjen e të arratisurve gjatë periudhës së sistemit komunist janë të shumta. Po kaq shumë flitet, madje shpesh abuzohet, edhe për numrin e shqiptarëve të cilët u arratisën apo vdiqën në tentativë për t’u arratisur gjatë viteve 1945-1990.

Ajo që vlen të theksohet është që edhe pas mëse 30 vitesh mungojnë studimet serioze e gjithëpërfshirëse mbi këtë çështje, ndonëse dokumentacioni arkivor është i plotë.

Më poshtë po japim të plotë një raport gjithëpërfshirës, që ministri i brendshëm Hekuran Isai i dërgon më 20 nëntor 1990 Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit për këtë çështje.

***

“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Drejtoria I

Nr. 10905

Sekret

Tiranë, më 20.11.1990

Lënda: Për të arratisurit dhe refugjatët

Shokut: Ramiz, Adil

Gjatë 46 vjetëve janë larguar nga vendi ynë, në rrugën e arratisjes e të kalimit tëpaligjshëm të kufirit, individualisht ose së bashku me pjesëtarë të familjeve, 13.692 persona, prej të cilëve 988 kanë vdekur. Përveç tyre, u larguan nëpërmjet ambasadave të huaja në Tiranë 4.785 persona, ndërsa kanë ikur me pasaportë si vizitorë (individualisht ose me familje) dhe s’janë kthyer akoma rreth 800 persona.

Duke u nisure nga dukuritë e reja që kanë lindur në situatën e sotme, të cilat në të ardhmen do të marrin përmasa më të gjera politiko-shoqërore, mendojmë ta shohim problemin nga aspekte e këndvështrime shumë-dimensionale.

I.                   Mbi gjendjen e elementit të arratisur

Deri në vitin 1959 janë arratisur 7.211 persona dhe me amnistinë e shpallur me Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 3005, datë 23.11.1959, përfitojnë 7003 persona, kurse 208 kriminelë lufte nuk përfitojnë (tani janë 104 persona, të tjerët kanë vdekur). Nga dalja e dekretit deri më 31 tetor 1990 kanë kryer kalimin e paligjshëm të kufirit 2.009 persona.

Gjatë periudhës 45 vjeçare janë riatdhesuar 60 persona dhe iu është hequr cilësimi si të arratisur 190 vetëve. Janë regjistruar e evidencuar gjithashtu gra tëtë arratisurve, me kombësi shqiptare apo të huaj – 1000, si dhe fëmijë të lindur jashtë shtetit me prindër të arratisur 3.500 vetë (statistika është me mangësi).

Nga evidenca rezulton se janë marrë e po merren me veprimtari armiqësore 1.510 persona, prej të cilëve rreth 300 janë kriminelët që nuk përfitojnë nga amnistia, krerë të organizatave e grupeve të emigracionit reaksionar, pjesëmarrës në demonstrata e provokacione ndaj vendit tonë e përfaqësive tona jashtë shtetit, kurse rreth 760 persona janë përgatitur në shkolla e kurse spiunazhi dhe kanë vepruar si diversantë.

Ekskluzive -VOX Arkiva / Shifrat dhe analiza: Të arratisurit dhe
Faksimile e letres

II.                Mbi refugjatët e larguar gjatë vitit 1990

Në këtë kategori përfshijmë:

a)      Shtetasit shqiptarë që hynë në ambasadat e huaja më 2 korrik 1990, të cilët u pajisën me pasaportë, u larguan nga vendi ynë dhe arrijnënumrin 4.785.

b)      Personat e pajisur me vizë, por që kanë qëndruar në shtetet ku kanë shkuar duke kërkuar strehim politik. Numri i tyre është i pasaktë, megjithatë afërsisht e kanë kaluar tremuajshin rreth 800 vetë.

c)      Në këtë grupim hyjnë disa kategori:

- Persona që kanë shkuar vizitorë dhe nuk kanë respektuar afatin e vizës.

- persona që kanë shkuar familjarisht me pasaporta dhe nuk janë kthyer më.

- persona që kanë shkuar si vizitorë dhe kanë kërkuar strehim politik.

- Persona që kanë grisur pasaportat dhe janë paraqitur si emigrantë politikë. Pjesa dërrmuese e personave të këtij grupimi rrjedhin nga familje me qëndrim të mirë politik.

III.             Problemet që kanë lindur me këto kontingjente

1.      Jo të gjithë personat e arratisur kanëpatur motive politike kur kanë ndërmarrë aktin e braktisjes së Atdheut. Rreth 7000 prej tyre janë falur me dekretin e vitit 1959. Sipas Kodit Penal ndaj tyre vepron Instituti i Parashkrimit. Një pjesë e tyre ka mbajtur qëndrim indiferent, dashamirës apo pozitiv. Në këtë aspekt ka ndikuar edhe qëndrimi i lidhjeve të tyre në vendin tonë, por sidomos qëndrimi i fuqishëm i Atdheut.

Amnistia e vitit 1959 ishte një akt politik me rrjedhoja pozitive, por ai nuk shënoi rehabilitimin e tyre, sepse kondicionohej me riatdhesimin.

Kjo kategori personash ka të drejtë të kthehet në Atdhe mbështetur në Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ndërsa për ardhjen e tyre si vizitorë, meqenëseështë e papërcaktuar ligjërisht, është mbajtur qëndrim i prerë – jo, me disa përjashtime. Sot kemi kërkesa të dyanshme për vizita të ndërsjellta. Kur kemi bërë miratime të veçanta, janë shoqëruar me shqetësime e reagime në emigracion, me dy kahje:

a)      Pse disa lejohen dhe të tjerë jo?

b)      Pse lejohen të arratisurit të vijnë në vendin tonë?

Një çështje tjetër është, në se do të mbajnë lidhje këta persona me Atdheun dhe me përfaqësitë tona jashtë, si qytetarë me prejardhje shqiptare ose si shtetas shqiptarë? Deri tani kjo ka qenë fakultative, tepër e diferencuar.

Prandaj, mendojmë që, për sot e në të ardhmen, duhet ta kthejmë këtë në favor të Atdheut.

2.      Personat e larguar nëpërmjet ambasadave apo ata që kanë shkuar vizitorë dhe kanë kërkuar statusin e refugjatit, kanë krijuar dukuri e probleme të reja të karakterit politik.

Edhe kjo kategori kanë të drejtë të kthehen në Atdhe, ndërsa do të merren ose jo në përgjegjësi penale është përcaktuar. Ka prej tyre që vijnë me iniciativë në Atdhe, ka kërkesa për bashkimin e familjeve, për komunikim të dyanshëm. Për të gjitha këto nuk ka asnjë akt ose interpretim ligjor.

Megjithatë duhet të dilet me një qëndrim e veprim unik ligjor, pa kaluar as në sektarizëm as në liberalizëm.

IV.             Disa propozime

1.      Të riaktualizohet amnistia e vitit 1959, e cila mund të shtrihet deri në vitin 1988 ose 1989; me qëllim që të mos konsiderohet një akt formal, në se do të bëhet për ata persona që përfitojnë si rezultat i Institutit të Parashkrimit. Amnistia të mos përfshijëpersonat që nuk përfitojnë nga Dekreti i vitit 1959, si dhe të tjerë me veprimtari, rrezikshmëri apo të njohur në opinionin atdhetar si antishqiptarë. Personat që do të përfitojnë ose jo, mendojmë ti nënshtrohen një studimi të plotë në shkallë fshati, lagje, rrethi. Sidoqoftë, përcaktimi se cilët persona do të amnistohen dhe tëç ‘periudhe do të jenë duhet parë më kujdes.

Amnistia do të krijonte një klimë neutralizuese në mënyrë të dyanshme. Për shpalljen e amnistisë mund të shfrytëzohej 11 janari ose 24 maji 1991.

2.      Për refugjatët, fillimisht duhet të dilet me akte ligjore, si do të konsiderohen e trajtohen, përfshi këtu edhe personat që tentojnë e do të tentojnë të hyjnë në ambasadat e huaja. Ky kontingjent të trajtohet i veçantë nga të arratisurit.

3.      Në botë jetojnë miliona shqiptarë. Pjesa dërrmuese e tyre janë atdhetarë dhe një forcë e madhe që kërkon një punë edhe më të kujdesshme e të institucionalizuar.

Së pari: të krijohet Regjistri (Amza) për shqiptarët jashtë Atdheut. Të punohet që të ruajnë shtetësinë shqiptare në më shumë persona. Për këtë, të ketë dekret të veçantë deri nër pajisjen me pasaportë shqiptare, çka u krijon edhe lehtësi.

Së dyti: të krijohet Komiteti për Shqiptarët Jashtë Atdheut, një organizim i veçantë, tepër i nevojshëm sot.

Së treti: të ketë një grup deputetësh në Kuvendin Popullor (grup parlamentar), që do të merreshin me shqiptarët jashtë Atdheut dhe të drejtat e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme

Hekuran Isai

Nënshkrimi

 

Lidhje 1:

I.                   Mbi gjendjen e elementit të arratisur

Deri më 31 tetor 1991 janë arratisur 9.220 persona dhe 4.472 lidhje të tyre: gra, fëmijë etj.

Sipas rretheve gjendja paraqitet e tillë: Lushnja 62, Fieri 115, Gramshi 15, Elbasani 61, Tepelena 73, Librazhdi 53, Erseka 214, Berati 39, Përmeti 105, Pogradeci 178, Korça 729, Skrapari 23, Vlora 435, Saranda 859, Gjirokastra 1399, Tirana 333, Puka 184, Dibra 520, Tropoja 402, Kukësi 777, Kruja 64, Mati 67, Durrësi 161, Mirdita 71, Shkodra 924 persona. (Shënim: këtu nuk janë llogaritur personat që kanë kryer kalimin e paligjshëm të kufirit nga maji deri në tetor 1990).

Shpërndarja e tyre sipas viteve është: Para vitit 1944 – 79 persona, më 1944 – 873, 1945 – 1279, 1946-394, 1947-194, 1948-814, 1949-871, 1950-529, 1951-737, 1952-338, 1953-265, 1954-107, 1955-42, 1856-265, 1957-194, 1958-157, 1959-73, 1960-135, 1961-87, 1962-91, 1963-93, 1964-65, 1965-118, 1966-76, 1967-52, 1968-51, 1969-15, 1970-12, 1971-58, 1972-15, 1973-21, 1974-12, 1975-59, 1976-33, 1977-35, 1978-38, 1979-22, 1980-19, 1981-24, 1982-34, 1983-49, 1984-59, 1985-49, 1986-61, 1987-80, 1988-66, 1989-69 dhe 1990 (deri në 31.10.1990) – 510 persona.

Ekskluzive -VOX Arkiva / Shifrat dhe analiza: Të arratisurit dhe
Faksimile

Lidhje 2

II: Mbi refugjatët e larguar gjatë vitit 1990

Disa nga treguesit statistikore të kësaj kategorie janë:

-          Sipas rretheve: Tirana – 3905 persona, Berati – 16, Durrësi – 455, Elbasani 43, Erseka – 3, Fieri – 40, Gjirokastra -6, Korça -16, Kruja -49, Kukësi -7, Lezha -9, Librazhdi -1, Lushnja -35, Burreli 3, Mirdita -1, Peshkopia – 14, Përmeti -2, Pogradeci -2, Saranda -5, Skrapari 2, Shkodra -139, Tepelena -2, Tropoja -3, Vlora -27.

-          Sipas ambasadave ku u strehuan: Në ambasadën e RFGJ – 3.172 persona, tëItalisë – 809, të Francës – 547, të Greqisë – 29, të Turqisë – 73, të Hungarisë – 40, të Çekosllovakisë – 51, të Jugosllavisë – 6, të Egjiptit -6, të Bullgarisë – 5, të Polonisë -52.

-          Sipas gjendjes shoqërore: 1.509 të rinj, nxënës të shkollave 8-vjeçare e të mesme, 59 studentë; 123 me arsim të lartë, 2013 me arsim të mesëm, 1974 me arsim 8-vjeçar (të tjerët fëmijë); 230 nëpunës, 2296 punëtorë; 4477 nga qyteti dhe 308 nga fshati. Nga numri i përgjithshëm, 749 vetë kanë qenë të pazënë në punë, 695 të dënuar: 419 nga një herë, 128 nga dy herë, 148 nga tri deri në tetë herë. Në evidencat e organeve tona kanë qenë 855 persona.”

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video