Libri me kujtime e refleksione i Aredin Shytit për vrasjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër dhe “Hakmarrjen për Drejtësi”

1 April 2022, 09:57Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Libri me kujtime e refleksione i Aredin Shytit për vrasjet e 2 Prillit 1991
Aredin Shyti

Nën titullin “Përballë së keqes”, një nga ekspertët më të mirë të luftës kundër krimit, pasi i provoi të gjitha nga posti i ministrit deri në qelitë e Burgut të Bënçës, nga privimi i lirisë personale te privimi dhe represioni familjar, përfshi akuza të rënda për djemtë, Aredin Shyti publikon kujtimet dhe refleksionet e tij për tranzicionin politik përmes fakteve, dokumenteve dhe ekspertizës juridike, duke u përqendruar me hollësi në dy ngjarje që përcaktuan jo vetëm fatin e tij por edhe modelin e regjimit të ri të ardhur me potere të madhe nën sloganet “liri-demokraci”: e para, protesta e përgjakshme kundër rezultatit të zgjedhjeve të para demokratike, 2 prill 1991; dhe, e dyta, e ashtuquajtura organizatë e “Hakmarrjes për drejtësi”, e krijuar, sipas atyre që e shpallën, “nga djemtë e A. Shytit”.

Një galeri personazhesh të politikës dhe drejtësisë, nëpunës dhe zyrtarë të thjeshtë të shtetit shqiptar apo funksionarë fodullë e militantë të llum-lumpenit bëhen pjesë e jetës së autorit; disa duke e dhunuar dhe disa duke e krenuar.

Ngjarje si ajo e rebelimit kundër rezultatit zgjedhor të 31 marsit 1991 në Shkodër, kush e organizoi dhe pse, kujt i interesonte vrasja e protestuesve; roli i Pjetër Arbnorit, Ali Spahisë; rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, takimi i tensionuar i Ramiz Alisë me oficerët në Ministrinë e Brendshme, roli i Neritan Cekës për uljen e tensionit pas lajmit “për vrasjen e Ramiz Alisë”, djegia e klubit të Ministrisë së Brendshme apo “revolta” në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet gjyqit kundër drejtuesve të policisë së Shkodrës dhe autorit për vrasjen e të rinjve shkodranë: cilët ishin prokurorët, hetuesit, gjyqtarët dhe dëshmitarët: si u përdorën ata nga politika dhe pushteti. Autori shkruan në hyrje të librit se “Lexuesi le të gjykojë mbi të vërteta të dokumentuara pse mbeti në terr mekanizmi i kryerjes së vrasjeve në 2 prill 1991, si dhe autorët e këtyre vrasjeve. Periudhat me rend të trazuar bëhen inkubatorë për veset dhe, në kushtet që veset buisin, e vërteta martirizohet e para dhe me sukses, ndonëse përkohësisht”.

Një kapitull më vetë në libër i kushtohet të ashtuquajturës “Organizata e Hakmarrjes për Drejtësi”, gjoja e krijuar nga djemtë e autorit, Leart e Orik Shyti. Sipas dëshmive e fakteve pa fund që ofron libri, kjo ishte seanca e dytë e hakmarrjes së Sali Berishës në funksion të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me çdo kusht e mjet. Është interesant një fakt i thjeshtë i vënë në dukje në libër: Se “Masakra e Shkodrës” apo “Hakmarrja për Drejtësi” “hidhen në veprim” në prag të ngjarjeve politike siç janë zgjedhjet dhe afrimi i rotacionit politik.

Dhe jo vetëm pushteti por edhe faktorë të tjerë të jashtëm si të ashtuquajturat “institucione të shoqërisë civile” apo media shfaqen lehtësisht apo qëllimisht të manipuluara prej pushtetit apo shitblerjes. Sipas botuesit të librit, Naim Zoto, nëse doni një arsye plus për të mësuar pse degradoi aq shpejt qeverisja e Sali Berishës dhe pse demokracia shqiptare është në këtë gjendje ku është lexoni refleksionet e Aredin Shytit. Pastaj do të thoni pse është kaq e vonuar reforma për drejtësi dhe pse shpallen kaq vonë dhe kaq me kursim “Non gratat” në Shqipëri.

Libri me kujtime e refleksione i Aredin Shytit për vrasjet e 2 Prillit 1991

 


Video