Në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë po hapim një rubrikë me vlerësime nga shtypi i huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet 1912-1914. Në këtë periudhë, qendrat kryesore të Shqipërisë si Vlora dhe Durrësi u “pushtuan” nga korrespondentët e shtypit të huaj, të cilët raportonin në vendet e tyre për gjendjen në Shqipëri. Analizat dhe vëzhgimet që ata i bëjnë situatës politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj., janë burime primare për vlerësimin e kësaj periudhe historike. Materialet që po botojmë janë nxjerrë nga Arkivi Federal Berlin-Lichterfelde, Gjermani.
***
Vossische Zeitung, 5 shkurt 1914.
Mbi të ardhmen e Shqipërisë
Nga korrespondenti ynë special
II.
„Ushtria dhe çështja epirote“.
Vlorë, 30 janar
Ndërkohë që oficeri holandez, gjenerali de Weer, drejton në një dhomë këndore të kazermës së Vlorës procesin gjyqësor kundër majorit Beqir dhe 28 të akuzuarve të tjerë, në dhomën përkarshi, majori Thomson dhe togeri Mallinckrodt punojnë më zell për organizimin e Ushtrisë Shqiptare. Hamendësisht mund të thuhet se majori Beqir do të vuajë një dënim të tmerrshëm, si pasojë e tentativës së tij aventureske për organizimin e puçit. Ai mund të dënohet më burgim të përjetshëm, pushkatim ose ndonjë dënim i tillë i ngjashëm. Pavarësisht sa u tha më sipër, atij nuk do t’i ndodhë ndonjë gjë e madhe. Tre oficerët holandezë, të cilët duhet të tregojnë një nivel të lartë profesional dhe që prej shpalljes së gjendjes së shtetrrethimit janë diktatorët e Vlorës, shfaqen në dukje me një fytyrë tepër serioze, ç’ka të fut frikën. Edhe anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të emëruar nga Fuqitë e Mëdha, të cilët përbëjnë edhe qeverinë faktike të Shqipërisë së Jugut, bëjnë të njëjtën gjë. Është e domosdoshme të bëhet një shembull! Dhe ky shembull do të bëhet – në letër. Se çfarë do të ndodhë më pas me Beqir Efendiun është një problem i pasardhësit. Për momentin kjo gjë është krejt e parëndësishme. Askujt në qytet nuk i bëhet vonë, nëse të nderuarit Beqir do ti bëhet një proces i shkurtër apo i gjatë.
Sapo shkela në kazermë, një grup ushtarësh shqiptarë po marshonte drejt vendit të stërvitjes. Këtu ata quhen «ushtria holandeze» ose «xhandarmëria holandeze», sepse struktura e këtij korpusi, pra e ushtrisë së ardhshme, po ndërtohet nga tre oficerë holandezë. Paraprakisht kjo strukturë duhet të kujdeset për sigurinë. Një nënoficer, i cili për një arsye të paditur për mua, ka mbërritur me disa minuta vonesë, ndjek nga pas shokët e tij që marshojnë duke kërcyer pupthi. Kjo gjë e çuditshme më detyron të pyes se, përse ai bën këtë veprim të pazakontë. Më përgjigjen se ai nuk bën asgjë tjetër sesa ndërron hapin çdo disa metra. Ai e bën këtë veprim nga gëzimi për të treguar se e ka mësuar këtë ushtrim. Mesa duket të gjithë këtyre njerëzve jeta ushtarake u jep kënaqësi. Në uniformat e tyre të reja nuk ka asnjë njollë, këpucët janë të lustruara, rripat e lëkurës janë veshur bukur dhe pushkët mbahen sipas rregullit. Për më tepër ata rruhen çdo ditë dhe duken mirë, çka në përgjithësi nuk është një traditë shqiptare ose, e thënë më mirë, një traditë orientale. Ushtarët të vështrojnë sikur pyesin: Hë, çfarë ke për të thënë”? Por kjo vetësiguri nuk tregon kryeneçësi. Përkundrazi, çdonjëri prej tyre është i sjellshëm dhe gëzohet ndaj çdo shikimi miqësor. Rojet e postuara në çdo cep të rrugëve – siç u tha, jemi në gjendje shtetrrethimi – i njohin të huajt në emër dhe komunikojnë me ta, për aq sa është e mundur të kuptohen. Ata janë të shoqërueshëm dhe hidhërohen nëse nuk arrijnë dot të merren vesh.
Ushtarët janë zgjedhur nga njerëzit më të mirë. Ata që fillimisht u rekrutuan në nxitim e sipër, e që më vonë dolën të paaftë, u larguan nga këto radhë. Njerëzit dalin vullnetarisht rekrutë dhe rekrutimi i detyruar nuk ekziston. Nuk është pagesa e lartë ajo që i shtyn këta njerëz të veshin uniformën. Ushtarët paguhen 66 franga në muaj. Kjo është një shumë thuajse marramendëse për ta. Nëntogeri paguhet 240 franga në muaj. Me këto para ai mund të bëjë një jetë shumë të mirë si asnjëherë tjetër. Ndërsa majori mund të kujdeset më së miri për familjen me pagën e tij mujore prej 400 frangash.
Kjo xhandarmëri holandeze ka sot një numër prej 1600 burrash. Fillimisht ishte planifikuar të krijohej Këmbësoria me rreth 1000 burra dhe po kaq duhej të kishte edhe Kavaleria. Por, si pasojë e kostos së lartë por ndoshta edhe e mungesës së kuajve të mirë, u hoq dorë nga krijimi i Kavalerisë. Kësisoj, numri i trupës u rrit në 1600 burra. Për të përforcuar trupat holandeze, u krijua edhe një trupë vullnetarësh, të cilët shërbejnë me armët e tyre personale. Së bashku me këta të fundit, ushtria kap një shifër prej afro 2000 burrash. Si pasojë e ardhjes së vullnetarëve të rinj, ky numër është gjithnjë në rritje. 300 burra ndodhen në kufirin jugor (shpejt do ta mësojmë qëllimin), 250 të tjerë u dërguan në Elbasan dhe Berat për të mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e Esat Pashës dhe pjesa tjetër gjendet në Vlorë.
Pavarësisht pagesës së lartë është shumë e vështirë të gjesh oficerë të aftë. Kjo pikë mbetet akoma e pazgjidhur dhe është problematike.
Përveç holandezëve dhe vullnetarëve është edhe një grup tjetër ushtarësh, të cilët pas dorëheqjes së qeverisë - sipas modelit turk - të Ismail Qemalit, u shpërndanë në tre sanxhakët shqiptare të Jugut (Vlorë, Elbasan dhe Berat). Kjo forcë prej afro 1000 burrash është e organizuar në tri batalione, që paguhen nga qeveritë lokale të sanxhakëve përkatës.
Siç u tha më sipër, shërbimi ushtarak kryhet me kënaqësi dhe dëshirë. Pavarësisht pagesës së mirë, këta njerëz ndihem po ashtu krenarë kur u thuhet se ata janë mbrojtës të atdheut të tyre në kuptimin e plotë të fjalës dhe që nuk kanë më nevojë të nxjerrin për turqit gështenjat nga zjarri në Maqedoni. Tripoli, Jemen etj. Po ashtu, ata nuk do të komandohen në gjuhën turke, por në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën e nënës. Ata i kuptojnë eprorët e tyre, ndërkohë që, duke mos zotëruar gjuhën turke, kishin probleme komunikimi me oficerët turq.
Kjo ç’ka po tregohet këtu është e vlefshme vetëm për Shqipërinë e Jugut. Në Shqipërinë e Mesme, Esat Pasha ka ushtrinë e tij, e cila përbëhet prej disa qindra burrash dhe në Shqipërinë e Veriut (në Shkodër) ndodhet një detashment ndërkombëtar dhe nuk është filluar akoma me organizimin e një trupe ushtarake vendase. Nëse do të gjendet gjuha e duhur me Esatin – dhe mesa duket kjo gjë është në rrugën e duhur – ngritja e xhandarmërisë në gjithë vendin do të përshpejtohet ndjeshëm.
Siç u tha më sipër, 300 burra ndodhen në kufirin jugor. Krijimi i xhandarmërisë holandeze i shërben në plan të parë pikërisht ruajtjes së kufirit jugor. Për lindjen e saj ajo duhet t’ia dije për nder pikërisht çështjes epirote. Ndoshta e keni parasysh një artikull të shkruar nga unë pak kohë më parë për synimet e Komitetit Epirot të Athinës, të cilët mendojnë se janë vetë Fuqitë e Mëdha ato që tremben nga rrëmujat në Epir nëse trupat greke tërhiqen, sepse shqiptarët nuk janë në gjendje që të sigurojnë rendin dhe qetësinë në territoret e lëshuara nga grekët. Këtu në Vlorë dëgjohen gjëra të tjera. Edhe përfaqësues të Komisionit ndërkombëtar dhe jo vetëm nacionalistët, janë të bindur se xhandarmëria e Shqipërisë është e disiplinuar dhe numerikisht e fortë mjaftueshëm për të zëvendësuar trupat greke në Epir. Këtu duhet të kihet parasysh edhe fakti që xhandarmëria shqiptare rritet dita-ditës. Megjithatë ajo nuk është në gjendje të përballet me trupat mercenare helenike-epirote prej 15.000-20.000 burrash. Përballë tyre ajo është e dobët dhe do të humbiste. Këtu ende nuk janë pjekur kushtet për organizimin e një kryqëzate; një e tillë nuk mund të organizohet. Prandaj gjithë shpresat janë drejtuar te Fuqitë e Mëdha. Komiteti Epirot i Athinës, siç kam treguar edhe para disa ditësh, nuk trembet nga Fuqitë e Mëdha; ndërsa shqiptarët besojnë se zbarkimi i korpusi të përbashkët europian në Sarandë do të mjaftonte për t’i trembur ata dhe për të zgjidhur në këtë mënyrë çështjen epirote pa derdhur asnjë pikë gjaku.
Rudolf Rotheit
©Copyright Vox News
Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.