Rreth 10 ditë më parë Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Ky agresion ushtarak e kujtoi edhe njëherë njerëzimin se rreziku i luftërave klasike, frontale e me karakter pushtues është ende i pranishëm në Europë. E sikurse ndodh në kësi rastesh, debatet janë të shumta e analizat bëhen sa më gjithëpërfshirëse. Parë në këtë këndvështrim, nuk duhet të mungojnë edhe trajtimet historike, kur tashmë dihet që shpesh pikërisht mosmarrëveshjet historike përdoren si shkak për fillimin e tyre. Më poshtë po japim një përmbledhje historike për Ukrainën, filluar prej krijimit të saj.
***
Ashtu si Rusia e Bjellorusia edhe Ukraina e konsideron veten si pasardhësetështetit të vjetër rus ose perandorisë së vjetër ruse të gjysmës së dytë të shekullit IX (rusisht: КиевскаяРусь, ukrainisht: КиївськаРусь, bjellorusisht:КіеўскаяРусь). Ky term mund të kuptohet gjithashtu si një emërtim i epokës historike, në të cilën Kievi shërbente si selia e dukëve të mëdhenj dhe ishte qendra politike dhe kulturore e dinastisë Rurikid.
Ky shtet bashkoi sllavët lindorë nga Deti Baltik në Detin e Zi dhe u nda në disa principata pas pushtimit mongol në shekullin e 13-të. Në shekullin e 14-të, pjesa më e madhe e territorit ukrainas kaloi nën sundimin lituanezo-polak dhe më pas, në vitin 1569, ky territor u bë pjesë e mbretërisë polake.Në rezistencën kundër sundimit polaku dalluan veçanërisht të ashtuquajturit kozakë. Ata jetonin si komunitete të lira në stepa dhe ishin të njohur për kalorësinë e tyre të fuqishme. Në gjysmën e dytë të shekullit të 17-të, një nga udhëheqësit e tyre, HetmanBohdanChmelnyckyj, arriti të krijojë për disa dhjetëvjeçarë një organizim shtetëror autonom ukrainas, duke u shkëputur kësisoj nga sundimi polak. Në të njëjtin shekull, gjysma lindore e Ukrainës ra nën sundimin e carit rus.
Gjatë tri ndarjeve të Polonisë në vitet 1772, 1793 dhe 1795, territoret ukrainase u ndanë midis Rusisë dhe Austrisë. Ndërkohë që nëPerandorinë Cariste gjuha dhe kultura ukrainase iu nënshtruan gjithnjë e më shumë rusifikimit masiv, nën sundimin e Habsburgëve ato ishin në gjendje të zhvilloheshin lirisht, çka shërbyen përgjatë shekullittë 19-të si impulse të forta për një rilindje kombëtare të popullit ukrainas. Pas trazirave politike në Rusi në vitin 1917 dhe themelimit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1922, Ukraina u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik, me emrin Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës.
Bashkimi Sovjetik u organizua sipas kritereve gjuhësore dhe etnike. Prandaj, nëRepublikën Sovjetike të Ukrainës u përfshinë territoret që banoheshin nëshumicë nga popullsi ukrainase. Ndonëse kompetencat e sajishin të kufizuara dhe republika ju nënshtrua sundimit partiak, ky organizim përbën edhe thelbin e shtetit-komb ukrainas të sotëm. Në ndryshim nga Perandoria Cariste, ukrainasit u njohën si një komb i veçantë në Bashkimin Sovjetik.
Holodomor
Në vitin 1931 qeveria sovjetike i detyroi fshatarët ukrainas të paguanin taksa aq të larta për drithin, sa që në vitin 1932 shpërtheu një zi e madhe buke që zgjati deri në shtator 1933. Sipas vlerësimeve të fundit, rreth 3.5 milionë njerëz, çkaishte më shumë se 10 % e popullsisë së Ukrainës në atë kohë, vdiqën nga uria. Ata që donin të largoheshin u penguan nga organet e pushtetit shtetëror. Kjo katastrofëhumanitare hyri në histori me emrin Holodomor(Ukrainisht: holod = uri, moryty = vuajtje, vrasje, shkatërrim). Në gjithë Bashkimin Sovjetik ranë 6-7 milionë njerëz viktimë të kësaj zie buke, e cila asokohe u mbajt e fshehtë, nuk u publikua dhe trajtimi i saj ishte një temëtabu. Së pari rreth 50 vite më vonë, filloi trajtimi i saj në pikëpamje historike. Ndërkohë, Holodomor-i është bërë një aspekt qendror i kulturës së kujtesës në Ukrainë, por jo në Rusi. Në Ukrainë, kujtimi i miliona njerëzve që vdiqën nga uria është një shenjë e distancimit nga e kaluara komuniste dhe në të njëjtën kohë shërben për të konsoliduar kombin ukrainas në shtetin e ri demokratik. Edhe në Rusi zia e bukës nuk është më një temëtabu, por deri më sot nuk ka pasur një përkujtim të gjerë të këtyre viktimave.
Ukraina Socialiste
Periudha e pasluftës në Ukrainë u karakterizua nga rindërtimi dhe industrializimi. Si rezultat i Luftës së Dytë Botërore, në Ukrainë u zhvillua një politikë shpërngulje në masë të gjerë e popullsisë: e gjithë popullsia polake në Ukrainën perëndimore u zhvendos ose u dëbua, dhe pakica ukrainase në Poloni u shpërngul me forcë në Ukrainë. Me rastin e 300 vjetorit të unitetit ruso-ukrainas, në vitin 1954, Hrushovi i dhuroi Republikës Sovjetike të Ukrainës gadishullin e Krimesë.
Më 26 prill 1986, në Ukrainë ndodhi një katastrofë me pasoja të rënda. Në termocentralin bërthamor të Çernobilit shpërtheu një reaktor bërthamor, duke shkaktuar një ndotje radioaktive nënjë sipërfaqe prej gati 150.000 km², me pasoja e dëme të mëdha për njerëzit dhe mjedisin. Deri më sot, Çernobili përfaqëson aksidentin më të rëndë në historinë e përdorimit civil të energjisë bërthamore.
Periudha postkomuniste: Pavarësia
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina fitoi në vitin 1991pavarësinë. Nën Leonid Kravtchuk dhe Leonid Kuchma, dy presidentët e parë të vendit, u krijua një sistem shtetëror i karakterizuar nga shpërdorimi i pushtetit, korrupsioni, klanizmi dhe krimi i organizuar.
Ukraina trashëgoi nga ish-Bashkimi Sovjetik 176 raketa bërthamore strategjike dhe më shumë se 2500 raketa taktike, ndonëse të gjitha sistemet e kontrollit ishin në Rusi. Deri në vitin 1996, raketat ukrainase u transportuan në Rusi ose u shkatërruan. Si kompensim, qeveria në Kiev mori ndihmë financiare nga SHBA, furnizime të lira me energji nga Rusia dhe garanci sigurie, të cilat u parashikuan në Memorandumin e Budapestit të 5 dhjetorit 1994. Në këtë memorandum, SHBA, Rusia dhe Britania e Madhe u zotuan të mos cenonin integritetin territorial dhe pavarësinë politike të Ukrainës, as me dhunë e as me kërcënime, të mos përdornin shtrëngim ekonomik, të hiqnin dorë nga çdo pushtim ushtarak dhe të mos njihnin në asnjë rrethanë pushtimin e saj.
"Revolucioni Portokalli" i vitit 2004 konsiderohet si pararendësi i protestave në vitin 2013 që u zhvilluan nëqendër të Kievit. Ky revolucion u karakterizua prej një seri protestash, demonstratash dhe një greve të përgjithshme. Shkak i protestave ishte pretendimi i opozitës për falsifikim të zgjedhjeve presidenciale. Kandidati presidencial i opozitës ishte ViktorJushçenko. Për shkak të protestave disajavore, lëvizja "Revolucioni Portokalli" dhe opozita arritën të shpallin të pavlefshëm balotazhin e parë të zgjedhjeve. Jushçenko mori më shumë vota në përsëritjen e balotazhit presidencial më 26 dhjetor 2004.
Në fund të vitit 2013, në sheshin Maidan të Kievitshpërthyentrazira antiqeveritare. Shkaku ishte deklarata befasuese e qeverisë ukrainase se për momentin ajo nuk dëshironte të nënshkruante marrëveshjen e asocimit me Bashkimin Evropian.
Në pranverën e vitit 2014,pas trazirave në Krime dhe një referendumi pasues, Krimea u nda dhe gadishulli u aneksua nga Rusia, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Po ashtu, filluan trazirat edhe në Ukrainën lindore, ku separatistët në Donbass kërkonin më shumë pavarësi, lidhje me Rusinë dhe morën me forcë vende të ndryshme nën kontrollin e tyre. Në një referendum të diskutueshëm që u zhvillua në Donetsk dhe Lugansk, njerëzit votuan për shkëputjen nga Ukraina.
Më 25 maj 2014, ukrainasit zgjodhën Petro Poroshenkon si president të ri me një shumicë votash prej 55 %, i cili hyri në dialog me Rusinë, por si objektiv afatgjatë kishte anëtarësimin e Ukraniës në BE. Shumë njerëz u vranë dhe u plagosën në luftimet midis separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë ukrainase, dhe kushtet e jetesës së banorëve në qytetet lindore të Ukrainës, Lugansk dhe Donetsk, u përkeqësuan në mënyrë dramatike.
Për herë të parë në shtator 2014 u arrit një armëpushim. Marrëveshjet e paqes u nënshkruan në Protokollin e Minskut. Megjithatë, armëpushimi shpejt u prish përsëri. Në shkurt 2015, në Marrëveshjen e 2-të të Minskut, palët në konflikt ranë dakord përsëri për një armëpushim në Donbass, çka përsëri rezultoi një marrëveshje e dështuar. Në pranverën e vitit 2021, konflikti u ndez përsëri masivisht dhe kulmoi në shkurt të këtij viti, kur konflikti u përshkallëzua me një luftë agresioni në shkallë të gjerë nga Rusia kundër Ukrainës.
*Për hartimin e këtij historiku të shkurtër janë përdorur materiale historike të qendrës për formim politik të Landit të BadenWürttemberg, Gjermani.
©Copyright Vox News
Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.