Shqipëria në vitet 1912-1914 në optikën e një korrespondenti gjerman

20 March 2022, 20:13Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Shqipëria në vitet 1912-1914 në optikën e një
Princ Wied ne Shqiperi

Në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë po hapim një rubrikë me vlerësime nga shtypi i huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet 1912-1914. Në këtë periudhë, qendrat kryesore të Shqipërisë si Vlora dhe Durrësi u “pushtuan” nga korrespondentët e shtypit të huaj, të cilët raportonin në vendet e tyre për gjendjen në Shqipëri. Analizat dhe vëzhgimet që ata i bëjnë situatës politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj., janë burime primare për vlerësimin e kësaj periudhe historike. Materialet që po botojmë janë nxjerrë nga Arkivi Federal Berlin-Lichterfelde, Gjermani.  

***

Vossische Zeitung,  6 shkurt 1914.

Mbi të ardhmen e Shqipërisë

Nga korrespondenti ynë special

IV.

„Anarkia“.

Vlorë, 2 shkurt

E ashtuquajtura anarki e Shqipërisë përbëhet nga disa fraktura, të cilave u mungon substanca e përbashkët. Princ Wied-i duhet të jetë kjo substancë. Komisioni Ndërkombëtar po mundohet të marrë masat paraprake për ardhjen e tij.

Dy përfaqësues të Komisionit u nisën në Durrës për të takuar kalorësin Esat, për ta bindur atë që të ndjekë shembullin e kalorësit Qemal të Vlorës. Duke u tërhequr nga administrimi i Shqipërisë së Mesme, ai hap rrugën e bashkimit të gjithë Shqipërisë. Para dy muajsh Esati premtoi se do të dorëhiqej, nëse Ismaili Qemali do të kryente më parë tënjëjtën gjë. Ismail Qemali nuk e dha dorëheqjen në mënyrë vullnetare, por ai u largua nga Komisioni i Kontrollit. Esat Pasha mendon se, kështu si erdhi puna, premtimi i tij nuk është më i vlefshëm. Konkretisht, nëse ai do të largohej do të krijohej përshtypja se edhe ai kishte borxhe për të larë. Si argument për largimin e Ismail Qemalit Komisionit i shërbeu procesi i Beqirit, në të cilin doli se Ismail Qemali ishte i përfshirë në organizimin e puçit. Esat Pasha nga ana e tij thekson se, ai nuk i kishte ndyrë duart në aferën e Beqirit.

Ismail Qemali nuk respektohet dhe nuk ka asnjë ndikim në Shqipërinë e Jugut.

Ndonëse makina qeverisëse mbante emrin e tij, ajo punonte me avullin e Komisionit Ndërkombëtar dhe oficerëve holandezë. Në të kundërt me të, Esat Pasha sundon vërtet në Shqipërinë e Jugut dhe ruan rregullin në mënyrë të kënaqshme. Kështu që ai i pyeti të dy të dërguarit e Komisionit se, kush do ta merrte përgjegjësinë e drejtimit të Regjimentit në Shqipërinë e Jugut, nëse ai do të zhdukej nga faqja e dheut?

Pasi të dërguarit u shprehën qartë se Komisioni këmbëngul për largimin e tij, Esati u shpreh në mënyrë komode se, nëse ai do të detyrohej të jepte dorëheqjen, ai do të tërhiqej nga Durrësi në brendësi të vendit në Tiranë dhe do të organizonte kryengritjen. Kush do të mund t’i afrohej atij atëherë?

Të dy të dërguarit – këta ishin përfaqësuesi gjerman dhe ai anglez i Komisionit – e panë që,sukses mund të premtonte vetëm arritja e një kompromisi.

Komisioni nuk dispononte asnjë mjet shtrëngues ndaj Esatit, por edhe nëse do ta kishte këtë mjet, Ai nuk do të përdorte metoda ekstreme në aksionin e tij balancues. Detyra e dy tëdërguarve ishte krijimi i një ure nga Shqipëria e Jugut, nëpërmjet Shqipërisë së Mesme për në Shqipërinë e Veriut, për t’i krijuar kështu Princit të ardhshëm një shtet të unifikuar. Nëse shkëmbi-Esat do të thyhej i pari atëherë, Esatistët e tjerë të vegjël, që pengonin rrugën, do të ishin një gjah i lehtë.

Politika e deritanishme e Esatit është një manovër e pandërprerë, pak në drejtimin e erës, pak në drejtimin e kundërt të saj; pak duke e ndihmuar erën, e pak duke e penguar atë. Për atë është e rëndësishme, si për tani ashtu edhe në të ardhmen, sigurimi i një pozicioni në vend dhe qenia faktor. Këtë faktor duhej ta merrte në konsideratë edhe koha e re që pritej. Pas diskutimeve të gjata dhe pa arritur në zgjidhje konkrete, të dërguarit e Komisionit Ndërkombëtar e bindën Esatin që Princi i ri duhet ta marrë Principatën nga dora e tij. Po ashtu kur ai të mbërrijë, duhet që pikërisht Esati, si njeriu më i rëndësishëm i vendit, t’i urojë mirëseardhjen Princit në emër të shqiptarëve. Por, Komisioni Ndërkombëtar synon që kur Princi të mbërrijë«ta gjejë tavolinën të pastruar» dhe të jetë në gjendje të ndërtojë qeverinë sipas dëshirës së tij (kjo do të thotë sipas dëshirës së Komisionit).

Kompromisi i bërë me Esatin konkludonte në faktin që, Esati do të vazhdonte të sundonte Shqipërinë e Mesme. Por ai duhej të pranonte kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar, duke e lejuar atë të mbikëqyrte të ardhurat (financat) e tij. Më tej, Esati, do të kryesojë delegacionin shqiptar që në emër të gjithë shqiptarëve do t’i ofrojë Wied-it kurorën e Shqipërisë në Neuwied, am Rhein.

Me këtë marrëveshje, e cila u bë me Esatin nga dy përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar në emër të gjithë Komisionit, mesa duket nuk janë dakord të gjithë anëtarët e Komisionit. Ky zhvillim na shpie në arenën e politikës europiane, e cila nuk duhet trazuar në këtë kohë. Megjithatë, të gjithë anëtarët e Komisionit u nisën për në Durrës, me qëllim që edhe në këtë qytet të instalohej Komisioni Ndërkombëtar. Me anë të këtij veprimi mund të thuhet se «anarkia» e Shqipërisë ka marrë fund.

Shqipëria në vitet 1912-1914 në optikën e një

Ekzistenca e qeverive të veçuara lokale dhe mungesa e një qeverisje qendrore është ajo, çka në mënyrë të ekzagjeruar dhe më tepër e bazuar mbi keqkuptime, konsiderohet si anarki. Shkaqet kryesore të saj duhen kërkuar në copëtimet e trashëguara ndërmjet familjeve të mëdha si edhe hasmëritë ndërmjet tyre. Forca motivuese e këtyre mosmarrëveshjeve qëndron në xhelozitë orientale, të cilat lulëzojnë në Shqipëri aq shumë si askund tjetër. Njëra palë e konsideron si një turp të madh t’i bindet palës tjetër, nëse ata janë të paktën të njëjtit rang si ata. Parë në këtë këndvështrim, ne që jemi në një nivel më të lartë mendojmë se, anarkia përbëhet nga disa fraktura që u mungon substanca e përbashkët.

Nëse nuk do t’i marrim në konsideratë këto konflikte, atëherë mund të thuhet me sigurinë më të madhe se, në gjithë vendin nuk ka ekzistuar asnjëherë një siguri dhe qetësi e tillë si tani. Për çdonjërin nga kryetarët e qeverie provizore, sigurimi i rregullit dhe qetësisë në territoret e tyre konsiderohet si një çështje nderi. Para disa javëve Esati tentoi njëherë të zgjeronte territorin e tij të sundimit në drejtim të Elbasanit. U zhvilluan disa luftime të vogla, të cilat u frynë shumë në telegramet e drejtuara Europës. Plani i Esatit dështoi dhe kështu kjo mesele u mbyll. Që nga kjo ngjarje nuk pati shqetësime të tjera të këtij lloji. Vrasje ndodhin rrallë. Këto dy muajt e fundit, për gjithë Shqipërinë e Jugut janë raportuar te Komisioni Ndërkombëtar vetëm dy raste vrasjesh për hasmëri. Vjedhja thuajse nuk ekziston fare. Kjo është një tablo krejt tjetër nga ajo që mendohet në Europë për Shqipërinë. Një tipar tjetër karakterizues, që e dallon Shqipërinë pozitivisht nga shumë vende të tjera,është mungesa e lypsarëve. Krenaria e ndalon shqiptarin të lypë dhe ky veprim konsiderohet tërësisht si mauvais genre. Po kaq e çuditshme është që, këtu, as ciganët nuk lypin. Në rrugë mungon ndjekja torturuese nga burra dhe fëmijë që të vijnë pas me dorën shtrirë. Në ditët e mia të qëndrimit në këtë vend unë njoha vetëm dy sakatë, të cilët lanë të kuptonin se dëshironin t’u falej diçka dhe po ashtu e pranuan një ndihmë të vogël. Ndoshta situata do të përkeqësohet me largimin e të huajve dhe kulturës që ata prunë me vete.

Dembelizmi përbën një plagë kombëtare dhe po ashtu ka lidhje me krenarinë e shqiptarit. Ky mendim mua më duket i gabuar. Kjo dukuri i ka rrënjët me tepër në nevojat e pakta jetike të kësaj shoqërie të pazhvilluar dhe të prapambetur. Dëgjoj nga të gjitha anët, dhe shqiptarë të arsimuar e konfirmojnë këtë, që populli shqiptar nuk e njeh qëndrueshmërinë në punë. Sapo shqiptari, sipas marrëveshjes së bërë,merr pagesën e parë të punës së kryer, pa thënë asnjë fjalë ai largohet nga vendi i punës dhe nuk kthehet më aty. Ai ka fituar mjaft. Ato pak monedha bakri i mjaftojnë për të siguruar për disa jave ose muaj ekzistencën e tij. Dembelizmi dhe xhelozia janë deformimet më të rënda të këtij populli tepër inteligjent. Ndoshta dalja e vendit nga prapambetja mesjetare dhe shndërrimi i tij në një vend të kulturuar, do të mundësojë që, kur njëri apo tjetri të ketë një burim të sigurt të ardhurash, ai mund të shërbejë si shembull edhe për të tjerët, të cilët ndoshta do ta ndjekin shembullin e tij.

Rudolf Rotheit 

©Copyright Vox News

Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video