Në kuadër të 110 vjetorit të Pavarësisë po hapim një rubrikë me vlerësime nga shtypi i huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet 1912-1914. Në këtë periudhë, qendrat kryesore të Shqipërisë si Vlora dhe Durrësi u “pushtuan” nga korrespondentët e shtypit të huaj, të cilët raportonin në vendet e tyre për gjendjen në Shqipëri. Analizat dhe vëzhgimet që ata i bëjnë situatës politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj., janë burime primare për vlerësimin e kësaj periudhe historike. Materialet që po botojmë janë nxjerrë nga Arkivi Federal Berlin-Lichterfelde, Gjermani.
Vossische Zeitung, 9 shkurt 1914.
Mbi të ardhmen e Shqipërisë
Nga korrespondenti ynë special
V.
„Vizitë te shqiptarët e vegjël“.
Vlorë, 4 shkurt
Në ish-godinën e shkollës turke u hap një shkollë fillore shqiptare. Vrimat e tavanit u mbyllën dhe u suvatuan. U ndërruan edhe dërrasat e kalbura të dyshemesë. Ajo çka sundimi turk la pas është shkatërrimi. Edhe këtu në shkollë, është njësoj si gjithandej. Gjatë kohës së luftës shkollat turke ishin të mbyllura. Hap pas hapi po punohet për t’i hapur përsëri shkollat, por tashmë shkolla në gjuhën shqipe. Mungojnë shumë gjëra. Mungojnë paratë, mungojnë mësuesit dhe tekstet mësimore. Por edhe problemi i kombësive shkakton vështirësi. Kisha ortodokse kundërshton hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe kërkon hapjen e shkollave greke. Shqiptarët e kundërshtojnë kategorikisht këtë kërkesë dhe duan që gjuha greke të përdoret vetëm gjatë mësimit religjioz ortodoks. Kisha ortodokse kërcënon se do të bojkotojë shkollat shqipe. Mbretëria greke kërkon të rrisë ndikimin e saj në arenën ndërkombëtare për përcaktimin e fatit të principatës shqiptare, në mënyrë që, nën maskën e mbrojtjes së kombësive dhe besimit fetar, të detyrojë shtetin shqiptar të hapë shkolla greke, ndonëse si në Greqi ashtu edhe në Serbi nuk lejohet hapja e shkollave shqipe.
Për momentin Shqipëria nuk mund të hapë shkolla të nivelit më të lartë se ajo fillore. Kushti thelbësor për hapjen e shkollave më të larta është unifikimi i arsimimit dhe gjuhës letrare. Por ende nuk ekziston një alfabet i unifikuar. Fëmijët e shkollës fillore lodhen duke mësuar dy alfabete të ndryshme për të shkruar gjuhën e tyre: alfabetin latin dhe një përzierje alfabeti mbi bazë kompromisi ndërmjet alfabetit latin dhe atij grek, i cili u miratua para katër-pesë vjetësh në një kongres të organizuar nga gjuhëtarë shqiptarë.
Mësuesit më të përgatitur në gjithë personelin e pakët mësimdhënës kanë punuar në shkollat greke të shtetit turk. Greqia kishte ndërtuar shkolla greke në territoret turke, madje deri në Shqipërinë e Mesme. Për ish-shkollat turke nuk i bëhet vonë askujt. Për mangësitë që kishte kjo shkollë janë të të njëjtit mendim si patriotët katolikë ashtu edhe ata myslimanë. Po ashtu, duhet pasur parasysh që, pavarësisht sundimit 500 vjeçar turk në Shqipëri, gjuha turke nuk e zëvendësoi dot gjuhën shqipe.
Vizita e kryer në shkollën fillore në Vlorë nënvizoi edhe njëherë inteligjencën e vegjëlisë shqiptare. Askush që ka pasur kontakt me këtë popull nuk dyshon në talentin e tij intelektual. Por, shpesh ky popull kritikohet rëndë sa i përket deformimeve të karakterit. Xhelozinë dhe dembelizmin e tyre e kam përmendur në një shkrim më të hershëm. Përveç këtyre veseve të bie menjëherë në sy e në mënyrë tepër të dukshme edhe një ves tjetër. Asnjë shqiptar nuk flet mirë për shqiptarin tjetër. Mund të ulesh mes një grup të madh shqiptarësh dhe biseda rrjedh këndshëm dhe çdonjëri prej tyre e trajton tjetrin me shumë respekt dhe kujdes. Megjithatë, mund të jesh shumë i sigurt që më pas, pasi të tjerët të jenë larguar, njëri apo tjetri të vijë te ty dhe të thotë: “Ai? Kush, ju lutem... ai? Ai është kot, ky është i duhuri...”.
Fillimisht vizitojmë klasën e lartë (klasa e katërt). Në klasë ishin gjithsej 14 nxënës, të moshës 11-14 vjeç. Ndryshimi i moshave te nxënësit u argumentua me faktin që, fëmijët më të rritur vinin nga shkollat turke dhe kishin mbetur pak prapa me programin mësimor, ndërkohë që më të vegjlit kishin ndjekur më parë shkollat greke. Disa prej tyre kishin veshur tesha që u rrinin të mëdha dhe ishin të vjetruara, disa të tjerë ishin veshur më mirë. Por, të gjithë ishin të larë e të pastër në mënyrë të kënaqshme. Sap hymë në klasë ata u ngritën me vrik si me komandë dhe na nderuan me dorën e djathtë në mënyrë ushtarake, duke vendosur dy gishtat tregues të dorës pranë tëmthit të djathtë. Po lexohej:
Robenson prej Daniel de Fos
cqiperuare skurtazi
prej
Lumo Skendo
peretypj’e dyjte.
Nuk ishte përkthyer gjithë libri i Robinsonit, por ishte bërë një përmbledhje e shkurtër e tij. Mësimi i gramatikës mësohej pjesërisht me pyetje përgjigje, ndërkohë që nxënësit përgjigjeshin shpejt dhe me korrektësi, ose me shkrim, duke shkruar me shkumës në tabelën e zezë. Pastaj vazhdoi mësimi i të fshehtave të aritmetikës, duke bërë përllogaritjen e thyesave. Po ashtu nxënësit na recituan përmendësh gjithë kryeqytetet e Europës dhe mësuam se Amerika ishte zbuluar nga Kristofor Kolombi. Po ashtu, nxënësit na treguan mbi fushatat e Aleksandrit të Maqedonisë dhe na u lexuan pjesë nga fjalimi i Demostenit kundër Filipit. Më pas nxënësit recituan vjersha patriotike. “Ne nuk na ndan dot as Kisha e as Xhamia, ne jemi një komb i vetëm”. Shprehje e menduar mirë, por për fat të keq e gabuar. E thënë ndryshe, kjo shprehje është në të njëjtën kohë sa liberale aq edhe nacionale, pra nacional-liberale. Vjersha e dytë ka një motiv kërcënues. Ajo flet për shqiptarët që bashkëpunojnë me turqit. Përmbajtja kërcënuese e vjershës tregon kundërshtitë e mëdha ndërmjet popullit dhe bejlerëve të zgjedhur nga administrata turke. Këto kundërshti do të trazojnë jetën e brendshme politike të Shqipërisë në të njëjtën masë si kundërshtitë ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve. Vjershat u recituan me intonacion, rrjedhshëm dhe u shoqëruan me gjeste. Pasi u ndamë duke u përshëndetur përsëri në mënyrë ushtarake, shkuam në klasën e ulët, ku mësonin fëmijë të moshës 6-8 vjeç. Fëmijët u ngritën menjëherë në këmbë, duke na përshëndetur po ashtu ushtarakisht. Në klasë ishin gjithsej 45 fëmijë. Ata mësonin artin e germëzimit nga një abetare e shtypur në Paris. Edhe këtu fëmijët na recituan vjersha. Njëra vjersha u kërkonte shqiptarëve të harronin të kaluarën dhe të gjithë së bashku të ecnin përpara drejt së ardhmes. Vjersha tjetër i kushtohej atdheut.
Shtetit shqiptar i nevojiten menjëherë nëpunës që zotërojnë gjuhën dhe shkrimin shqip. Ka një nevojë shumë të madhe për ta. Kështu për shembull, taksidari i portit të Vlorës, u emërua kapiten porti, sepse nuk kishte askënd tjetër që ishte i aftë për të kryer këtë punë. Ende shumë shkresa zyrtare shkruhen në gjuhën turke. Po ashtu, në qarkullim janë ende paratë turke. Koha e tranzicionit duhet kaluar. Dhe ata që do t’i japin fund këtij tranzicioni janë pikërisht ata, që sot janë të ulur në bankat e shkollës.
Rudolp Rotheit
©Copyright Vox News
Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.