Si e shndërroi një shtëpiake mormone një ditar të rremë në një ‘bestseller’

30 July 2022, 19:24Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si e shndërroi një shtëpiake mormone një ditar të
Beatrice Sparks

Nëse do të kishe 20 dollarë dhe disa orë kohë të lirë gjatë vjeshtës së 1970-s, mund të mësoje për “Artin e të qenit grua” (The Art of Wumanhood) të Beatric Sparks. Një shtëpiake mormone, Sparks ishte aytre e librit me titull “Çelësi i lumturisë”, që ofron këshilla për pastrimin, sjelljen, zërin e tonin dhe vetëdisiplinën për vajzat adoleshente dhe të reja.

Në seminaret që mbante çdo të mërkurë në Brigham Young University, institucion ku më vonë pretendoi se kishte marrë një doktoraturë, shpesh thoshte në psikiatri, herë të tjera në psikologji e sjellje njerëzore, përcillte të njëjtat mesazhe.

“Lumturia lind së brendshmi dhe ajo fillon kur të kuptojme se cilët jemi në të vërtetë”, thoshte Sparks.

Por, edhe Sparks siç duket nuk e kishte njohur mirë veten. Shpesh vetëquhej lektore, më vonë identifikohej si terapiste, më rrallë si këshilltare e punonjëse sociale, e deri te psikologe adoleshentësh, duke ‘zëvendësuar’ universitete të njohura në Utah, California, apo Los Angeles.

Pavarësisht studimeve, apo kualifikimeve që kishte fati kishte paracaktuar që Sparks të bëhej e njohur sepse ishte e panjohur. Libri për artin e të qenit grua ishte një bllof që dështoi. Por, ajo korri sukses e shiti miliona kopje të një tjetër libri, një që edhe sot nuk mban autorësinë e saj dhe që u botua e ribotua me shumë pseudonime. “Pyet Lizën” supozohej të ishte një ditar real i një vajze adoleshente përdoruese drogërash.

Kur ky libër u botua në vitin 1971, autori vendosi në kopertinë emrin ‘Anonim’. Në parathënie shfaqeshin perifrazime autentike nga brendësia e ditarit, të ngjashme si ato të shkruara nga Mary Shelley dhe Joseph Conrad, duke shpjeguar se ‘libri ishte bazuar te një ditar real i një vajze 15-vjeçare, përveç emrave dhe datave që ishin ndryshuar’.

Ditari, sipas redaktuesve e korrektuesve ishte një kronikë specifike shumë personale që ata mendonin se mund të ndihmonte në të kuptuarin më të mirë të botës komplekse në të cilën jetojnë.

Narratori është gjithashtu i paidentifikuar dhe nuk quhet Liza. Titulli i librit, i zgjedhur nga një punonjës i shtëpisë botuese rrjedh tërthor në ditar si referencë e “Lizës në botën e çudirave” dhe më drejtpërdrejt nga vargjet e këngës “White Rabbit’’ të Jefferson Airplane.

Faqet e para rrëfejnë asgjë dhe njëkohësisht gjithçka nga jeta e një vajze adoleshente. Narratori rrëfen dietat, takimet dhe dëshirat e ëndërrat e saj, deri kur një djalë ja përshkruan gjimnazin si ‘vendin më të vetmuar e të ftohtë të botës’.

Ajo vjen nga një familje e krishterë e shtresës së mesme është fëmijë i tretë, me mamanë shtëpiake të devotshme dhe babanë një akademik, punët e të cilit e lëvizin familjen nga njëri shtet në tjetrin.

Kalon pothuajse një vit para se të ndodhë diçka. Vajza çmendet me prindërit e saj që ndryshojnë shtëpi shpesh, me dy vëllezër e motra se pse bëhen gati më shpejt se ajo, me mësuesit pse janë të mërzitshëm, madje edhe me veten. Lan flokët me majonezë, bën xhelatinë me sallatë dhe më pas shkon në një festë.

Këtu, pjesëmarrësit në vend që të ndanin me njëri-tjetrin librat e vitit shkollor, shpërndanin kokainë dhe disa doza ishin të spërkatura me acid. “I dashur ditar”, shkruan ajo mëngjesin pasues. “Nuk e di a duhet të turpërohem, apo të lumturohem. Di që mbrëmë pata mbrëmjen e përvojën më të pabesueshme të jetës time”, shkruan ajo.

Zbulon që gjërat që ka dëgjuar e lexuar për drogërat dhe LSD-në “me gjasë ishin shkruar e thënë nga njerëz të painformuar, injorantë si prindërit e saj që me siguri nuk e dinin se për çfarë po flisnin”.

Pas LSD-së provon hashashin e më pas drogëra edhe më të forta. Ato janë të shkëlqyera (‘si të kalërosh e shikosh yjet në Rrugën e Qumështit, vetëm se miliona e triliona herë më mirë’). Por, jeta është e komplikuar. Gjyshi pëson atak në zemër, ajo kryen marrëdhënie seksuale për herë të parë me shpërndarësin që i siguronte drogën dhe shqetësohet se mund të ketë mbetur shtatzënë. Më pas zbulon se shpërndarësi nuk kishte fjetur vetëm me të, por edhe me shoqen e dhomës.

Kur ai e detyron që të shpërndajë LSD te miqtë e saj në shkollë, ajo e shtyn tutje dhe largohet për në San Francisco. Kaq për gjysmën e parë të librit. Në 100 e ca faqet e tjera ajo përdhunohet në grup, humbet që të dy gjyshërit, ushtron prostitucion për të siguruar paratë për të blerë drogë (“një tjetër ditë, një tjetër gojore”, shkruhet në një prej hyrjeve aksidentalisht më qesharake të librit.

Pasi arrestohet shkon në një qendër rehabilitimi, vuan nga pasojat e përdorimit të drogës, rimerr veten edhe me ndihmën e një prifti, pëson një goditje psikotike, pasi ha çokollatë me përbërje droge teksa duhej të kujdesej për një foshnje dhe më pas e gjen veten në një institucion të shëndetit mendor, ku ndihmon për të transformuar një ‘adoleshente tjetër prostitutë’.

Më në fund rikthehet në shtëpi për të rinisur jetën nga e para, duke dëbuar të gjitha veset e këqia dhe duke nisur të mbajë ditarin. Këtu vjen spiralja e fundit torturues e ndodhive në formën e një shënimi të redaktuesit:

“Subjekti i këtij libri vdiq tre javë më parë pas vendimit për të mos mbajtur një tjetër ditar. Prindërit e gjetën të vdekur pasi u kthyen nga kinemaja. Telefonuan policinë dhe ambulancën, por nuk e shpëtuan dot. A ishte një overdozë aksidentale, apo e paramenduar? Askush s’e di. Ajo që duhet të na shqetësojë është se ajo vdiq dhe ishte vetëm njëra nga mijëra të vdekur nga droga atë vit”.

Për ta bërë edhe më melodramatike historinë, në disa variante të ribotuara të librit rrëfimi mbyllet me shënimin e redaktorit “S’mund ta pyesni më Lizën”.

Historia pas “Pyet Lizën” është subjekt i librit të ri të Rick Emerson “Zbulimi i Lizës: LSD, paniku satanik dhe manipulimet pas ditarëve më të famshëm të botës”. Sipas Emerson, kur Beatrice Sparks prezantoi për publikim “Pyet Lizën” ajo deklaronte se kishte gjetur ditarin e një adoleshenteje, duke pretenduar se ajo vetëm vetëm sa e kishte mbledhur, sistemuar, redaktuar e korrektuar, por duke ruajtur historinë e “adoleshentes reale që po publikonte”.

Pavarësisht prejardhjes e frymëzimit të librit, miliona njerëz e lexuan. Një prej mistereve të suksesit të çmendur të librit, është se si ka mundësi kaq shumë njerëz mund të toleronin përdorimin e tepruar të mbiemrave, pikësimit, profanisë dhe fjalori banal.

Një pjesë e vogël lexuesish dhe gjuhëtarësh e gjetën stilin e shkrimit si qesharak dhe vunë në pikëpyetje vërtetësinë e ditarit për të cilin shkruhej në këtë libër. Të tjerë, përfshirë këtu një kritikë e “Times” e quajtën librin si dokument të një realiteti tmerrues dhe e morën të mirëqënë si provë të autenticitetit të ditarit.

Emerson fatkeqësisht imiton disi stilin e Sparks duke e drejtuar historinë e ndodhinë si një ditar, dramatizuar skenat përmes monologjeve të brendshme pa gjurmë të qarta redaktimi, apo burimi konsenti. Më së shumti, në kapitujt e fundit të “Zbuloni Lizën” (Unmask Alice) ai këmbëngul se e gjeti vajzën që ka frymëzuar ditarin, adoleshenten për të cilën flet Sparks se e kishte takuar gjatë punës si këshilltare në një kamp mormon veror. Por, duke cituar arsye privatësie Emerson refuzon që t’i bëjë publik emrin.

“E di se si tingëllon, sidomos pas 300 faqesh shpjegime se pse e vërteta është e sajuar, lufta është paqe, që s’ka lugë., etj. Nëse zgjedh të dyshosh, nuk të fajësoj”, shkruan ai me një ton përfaqësuesi mbivlerësimi të librit mbi gjithçka, deri diku shumë serioz e njëkohësisht shumë qesharak për t’u marrë seriozisht.

Libri i ri i Emerson dhe ai i vjetri i Sparks kanë të përbashkët diçka tjetër; se si synimet e mira mund të kompromentohen nga mendje të njëjta. Sparks, për të gjitha ‘faktet e shpikura’ duket sikur ka bindjen e brendshme se të rinjtë në kriza kishin nevojë që të rriturit t’i kuptonin, një bindje e forcuar nga propaganda e ashpër kundër drogës, që sot është e vështirë të kuptohet. Emerson beson se gjithçka e ngritur duhej rrëzuar dhe në libër përpiqet të bëjë përgjegjëse për moralin ndërkombëtar një gjyshe, si dhe industrinë e pandershme botuese, përfshirë këtu edhe të informacionit.

Beatric Ruby Mathews lindi në vitin 1917 në një kamp minierash pranë hekurudhës që lidh jug-lindjen e Idahos. E ëma, Vivian shkonte në punë me tren dhe i kërkoi ndihmëses që të kujdesej për Beatrice dhe dy fëmijët e tjera më të mëdhenj. Vivian dhe burri i saj, Leonard kishin edhe dy fëmijë të tjerë që i rritën kryesisht në Utah papra se të skandalizonin fqinjët dhe të ndaheshin.

E mbetur e vetme me pesë fëmijë, Vivian nisi punë në një restorant kur Beatrice iu bashkua në të njëjtën punë pasi la gjimnazin. Kur ishte 18-t, Beatrice udhëtoi në Santa Monica, ku gjeti një tjetër punë si kamariere dhe ra në dashuri me një mormon (sekt i krishterë) ng Teksasi, të quajtur LaVorn Sparks.

Ata u martuan dhe u zhvendosën në vendlindjen e Sparks për të nisur një biznes lavanterie. Biznesi eci mirë dhe me para me bollëk në xhep, çifti lëvizi për në Los Angeles, ku Sparks rriti motrën më të vogël dhe tre fëmijët e vet. Beatrice nisi të publikojë poezi, madje edhe komedi e libra me këshilla, shpesh me emrin e vet, herë të tjera me emrin Bee Sparks, apo Busy Bee, apo Susan LaVorne.

Kur djali i saj nisi kolegjin, Beatrice dhe LaVorn u zhvendosën në një vilë në Provo të Utah, shteti me reputacionin e të qënurit kryeqyteti i mashtrimit në SHBA. Në këtë shtet, vlerësohet se skemat piramidale (Ponzi) godasin hera herë deri në 100 mijë banorë.

Beatric nisi punë në një skemë shumëniveleshe marketingu me Art Linkletter, duke shkruar ese, që shiteshin në sete, shpesh edhe me albume muzikore nga Family Achievement Institute. Këtu ngrihej një rrjet shitësish, të cilëve u premtoheshin fitime të mëdha nëse joshnin persona të tjerë që t’i bashkoheshin skemës kundrejt një pagese që në atë kohë nuk ishte goxha.

Linkletter, që ishte i famshëm për “Kids Say the Darndest Things”, i bëri edhe më të pasur Sparks, por jo me punën e marketingut. Ky projekt zgjati pak; Sparks dhe Linkletter u ribashkuan pasi vajza e tij e vogël kreu vetëvrasje në vitin 1969. Për këtë fajësoi LSD-në dhe nisi një fushatë kundër drogërave psikodelike, madje shkoi deri në Shtëpinë e Bardhe, ku Richard Nixon i dëshpëruar në ato ditë ishte i lumtur që ta shndërronte një tragjedi private në propagandë presidenciale, për atë që do të vijonte më pas luft kundër drogërave.

Sparks, që punonte si vullnetare në një spital lokal dhe shpesh ishte e interesuar që të ndihmonte të rinjtë në telashe, i dërgoi Linkletter një dorëshënim që e quante “E varrosur për së gjalli: Ditari i një adoleshenteje anonime”.

Agjencia botuese e Linkletter e shiti librin te “Prentice-Hall”. Sparks shpresonte që libri do të dilte me emrin e saj, por ajo hoqi dorë nga ky pretendim pasi shtëpia botuese i tha se nëse do t’i vendoste emrin e vet, kjo mund të kompromentonte suksesin e librit.

“Siç e dini, zonja Sparks është e përkushtuar që të ndihmojë të rinjtë dhe është e gatshme që të qëndrojë anonime në mënyrë që mesazhi të shpërndahet në publik”, deklaronte avokati i saj teksa Sparks firmoste kontratën.

“Pyet Lizën” ishte pjesë e një vale literature kushtuar adoleshentëve të dhë rinjve. Në dekadat më parë ekzistonte si kategori e papërfillshme në letërsi, por shpërthimi i të rinjve me arsim të mesëm dhe me arsim të lartë pas Luftës së Dytë Botërore rriti numrin e viteve mes fëmijërisë dhe rinisë.

Në këtë hendek të zgjeruar, shkrimtarët, shtëpitë botuese e kritika hodhi shpresa, ëndrra dhe miliona dollarë marketing. Teksa Linkletter promovonte “Pyet Lizën” në një konferencë me korporata, përfshirë këtu Shoqatën e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Barnave, Prentice Hall paketonte librat e i shiste për adoleshentët.

Kundërshtitë shoqëruan vazhdimisht suksesin e librit. Adoleshentët e blinin prej përshkrimit që i bëhej seksit dhe drogës, ndërsa të rriturit po për këto përshkrime e quanin pornografi dhe imoral, duke shtyrë edhe më shumë adoleshentë që ta blinin.

Për të mos u bërë monoton, shtëpitë botuese njëra pas tjetrës ndryshonin kopertinën duke i shtuar vazhdimisht dosa mistike dhe kaskada e çmendurisë kulmoi kur libri u përshtat në film me aktor Ëilliam Shatner, si babai i autores së ditarit dhe Andy Griffith si prifti që e largon atë nga rrugët.

“Pyet Lizën” ishte njëri prej shumë librave të ndaluar në vitet ’70 dhe pikërisht ky ndalim i rriti popullaritetin, fillimisht duke tërhequr fëmijë për ta lexuar e zbuluar se çfarë ishte e gabuar për prindërit e tyre dhe më vonë prej faktit që e lexonin si titull mes librave të ndaluar.

Librat në këtë listë promovohen nga libraritë dhe në disa shkolla studentëve u kërkohet që të zgjedhin një libër nga kjo listë për ta trajtuar si detyrë klase. Revanshi i librave në këtë listë ishte reaksionar në mënyrën e vet. Për çdo konservator që kundërshtonte gjuhën vulgare të “Pyet Lizën”, dilte një liberal që kundërshtonte insinuatat se çdo përdorim droge çonte në prostitucion dhe vdekje. Shumë lexues mendonin se pavarësisht agjendës së tij, libri ishte një sajesë e shkruar keq, që nuk ja vlente që të zinte vende në librari.

Shpejt, libraritë që kishin këtë libër kishin nevoja për më shumë hapësira. Pas disa vitesh sukses si anonime, autorja publikon dy libra të tjerë, që të dy me emrin në kopertinë duke e zbuluar atë si ‘redaktuesja ‘ e librit të parë. I pari, i publikuar në 1978 titullohej “Zërat” dhe në vend të një ditari, ofronte dëshmi nga katër adoleshentë dhe e gjithë narrativa është e ngjashme me “Pyet Lizën”.

Marku tregon për mendimet vetëvrasëse që i kalojnë nëpër kokë. Jane rrëfen se çdo të thotë që të jesh një e dëbuar nga familja e varur nga droga dhe seksi. Millie flet se si një mësuese përfitoi prej saj dhe i prezantoi “lezbicizmin” dhe Mary tregon historinë e shpëlarjes së trurit nga një kult. Sparks pretendonte se historitë ishin ndërtuar bazuar në intervistat e qindra fëmijëve në dhjetra qytete, por katër zërat ishin të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe të ngjashëm me “Pyet Lizën”.

Pak muaj më vonë, Sparks ishte sërish në biznesin e ditarëve me “Jay’s Journal”. Sparks pretendonte se merrte shumë telefonata nga prindër të shqetësuar, mes të cilëve tregoi historinë e një adoleshenti 16-vjeçar me nivel të lartë IQ, i cili vdiq pasi u bë pjesë e një kulti që besonte te magjia. Për këtë rast ajo shkruan një novelë, në fund të së cilës thotë se vendet, emrat dhe datat janë ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e familjes.

Më vonë u mësua se vendlindja e djalit, Pleasant Grove u bë Apple Hill, një restornat vendas Purple Turtle u bë Blue Moo në përpjekje për të mbajtur të fshehtë nga lexuesi personazhin real. Në fakt, Jay, siç e quante Sparks në libër ishte Alden Barret dhe dy dekada më vonë, vëllai i tij, Scott publikon një libër ku sqaron të gjitha rrethanat e vdekjes së tij.

Në librin “A Place in the Sun”, Scott e paraqt vëllain e tij si të apasionuar pas poezisë, që shkëlqente në debate, por vuante nga depresioni. Sipas Scott, në novelën Sparks kishte fabrikuar 90 për qind të rrëfimit, përfshirë këtu se si pasi u dërgua në një shkollë riedukimi Jay mësoi se si të lëvizë objektet me mendje, merrte pjesë në orgji dhe u pushtua nga një demon i quajtur Raul.

Ditari i Aldenit nuk përmend asnjë kult, por sipas Scott vëllai i tij tymoste hashash, studionte hinduizmin dhe ishte kundër luftës në Vietnam, çka e vendosi në përplasje të vazhdueshme me familjen e vet mormone. Megjithatë, për Sparks ai ishte pjesë e një sekti e rrjeti masakruesish të bagëtive, që kishin pirë gjakun e 3 mijë viçave në më shumë se 20 shtete të SHBA.

Në faqet e fundit të novelës, Sparks riprodhon letrën vetëvrasëse të Barret. “Nuk dua të jem më i mërzitur, i vetmuar dhe në depresion. Nuk dua të ha, pi, marr frymë, flas, fle, lëviz, ndjej apo të dashuroj më. Mami dhe babi, nuk është faji juaj. Nuk jam i lirë. Ndjehem i sëmurë dhe jam i trishtuar”, shkruan Sparks.

E ëma e Barret ishte e tronditur nga libri i Sparks dhe këtë e tha edhe në librin e publikuar nga Scott. Në atë kohë familja ishte shkatërruar. Prindërit u ndanë, e ëma la Pleasant Grove dhe e gjithë familja vuajti nga vandalizmi i vazhdueshëm i varrit të Alden dhe raportimet se adoleshentët po përpiqeshin të rikrijonin eventet nga ditari i tij.

Ky rast tregon se edhe në rastet e tjera, Sparks mund të jetë bazuar të ndodhi reale, por ajo u ka shtuar doza të larta fabrikimi, që i siguruan suksesin, por njëkohësisht shkatërruan edhe jetë familjesh.

Sparks, që vdiq në vitin 2012 në moshën 95-vjeçare publikoi libra deri vonë dhe të gjithë me adoleshentë e tragjedi pas tragjedie. Karakteret e saj mund të jenë vërtet realë, por mund edhe të mos jenë. Ajo që i bashkon të gjithë është se shkrimtarja ka përfshirë doza të forta fabrikimi, duke i ‘satanizuar’ veprat e saj. Megjithatë, Emerson se qëllimi i mirë pas këtyre veprave u arrit; ndikimi te adoleshentët dhe mbajtja e tyre larg veseve që mund t’i çonin në funde tragjike, ashtu si personazhet në librat e vet.

Përkthyer nga New Yorker


Video