Shënim: Pasi u përpoq që të kalojë në heshtje skandalin e denoncuar nga Autoriteti i Dosjeve, sipas të cilit Ilir Meta ka një dosje voluminoze prej 140 faqesh te ish-Sigurimi i Shtetit, ish-kreu i LSI-së, tani kryetar i Partisë së Lirisë reagoi.
Zyrtarisht ai thirri një konferencë për shtyp për të prezantuar emrat e katër drejtuesve të Partisë së Lirisë, por jozyrtarisht e dinte që do të pyetej për dosjen e Autoritetit dhe këtë herë nuk iu shmang pyetjes.
Shumëkush mund të priste nga Ilir Meta që të jepte një mbrojtje tjetër, por ai vendosi që të habisë të gjithë duke e bërë lëmsh alibinë që kishte menduar. Fillimisht tha që Autoriteti ka manipuluar, kriminalizuar e sajuar dosjen, për ta mbyllur në fund duke thënë se “I.M. politikan i lartë për të cilin flet Autoriteti i Dosjeve nuk është Ilir Meta, madje i kërkon Autoritetit që ta gjejë se kush është”.
Dosjen e kujt manipuloi, kriminalizoi Autoriteti i Dosjeve dhe nga është në dijeni të këtij manipulimi, kriminalizimi e sajese ish-Presidenti, nëse I.M. për të cilin flet Autoriteti nuk është ai?
Kjo është pyetja e parë që kërkonte përgjigje. Por, në vend të përgjigjes për këtë pyetje, Ilir Meta nxorri rreth dy orë më vonë Silva Cakën, zëdhënëse e Partisë së Lirisë që gjithashtu përforcoi qëndrimin e dytë, pra që Ilir Meta s’është Ilir Meta.
Detaji tjetër nga konferenca e tensionuar e Metës me krahët hapur mbi foltoren e partisë së re lidhet me vitet e tij si student në Fakultetin e Ekonomisë. Meta tha se ishte Sekretar Rinie në këtë fakultet kur ishte në vitin e dytë të shkollës për shkak ‘të notave të mira dhe cilësive prej lideri që kishte shfaqur që atë kohë’.
Bëhet fjalë për vitet kur regjimi po jepte shpirt gradualisht, njerëzit në Tiranë, e sidomos studentët po e sfidonin e nuk po i bindeshin gjithnjë e më shumë. Për këto arsye, mbajtja e posteve të Sekretarëve të Rinisë nëpër universitete nuk ishte më një ‘gradim’ e pëlqyer prej tyre, madje refuzohej në masë.
Për ta zgjidhur këtë problematika, nga rrëfimet që kanë bërë protagonistët e protestave studentore pas shembjes së regjimit kanë pohuar se aktiviteti i sigurimit të shtetit mes studentëve ishte rritur ndjeshëm, sidomos pas shembjes së Murit të Berlinit në vitin 1989. Ilir Meta e ka nisur Fakultetin e Ekonomisë pikërisht në këtë vit dhe një vit më vonë u emërua Sekretar i Rinisë.
Nga ata që e dijnë se si funksiononin Sekretariatet e Rinisë në atë kohë, askush nuk mund të besojë se vetëm si Sekretar Rinie, Ilir Meta nuk ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, aq më tepër që Sigurimi ishte futur e përhapur në çdo qelizë të regjimit, duke ndëshkuar qytetarët për një fjalë goje.
Kështu u ndëshkua edhe F.T., personi që ka dorëzuar te Autoriteti i Dosjeve mesazhin me dyshimet se është spiunuar te Sigurimi nga Ilir Meta, pasi ka shprehur dëshirën për t’u arratisur. Kjo dëshirë në ato vite ka vrarë me dhjetra në kufijtë tokësorë e detarë të vendit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.