Fundi politik i Ilir Metës/ Më mirë të ishte shpallur non-grata, sesa spiun i Sigurimit

26 July 2022, 20:22Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fundi politik i Ilir Metës/ Më mirë të ishte shpallur
Ilir Meta

Kur të gjithë dyshonin e mendonin se goditja e parë ndaj Ilir Metës do të vinte nga matanë oqeanit për afera të dyshuara korruptive, një deklaratë e Autoritetit të Dosjeve ndryshoi gjithçka.

Autoriteti propozon ndryshime në ligjin për hapjen e dosjeve dhe duke cituar disa kleçka që klasa politike ka ruajtur në të prej vitesh, përmes të cilave politikanët e lartë i kanë shpëtuar verifikimit të hollësishëm, madje edhe duke dorëzuar deklarime të falsifikuara.

Si shembull, Autoriteti jep politikanin e lartë me inicialet I.M., që Vox News mëson ekskluzivisht që është ish-Presidenti Ilir Meta. I vetëshpallur ‘Dhjetorist’, Meta është shembulli më i pastër se si ish-sigurimsat me pushtet jo vetëm që vijuan të mbanin poste të larta, por madje u ngjitën deri në majën e shtetit shqiptar, siç është Presidenca.

Autoriteti fajëson disa parashikime në ligjin për dosjet, sipas të cilave njerëzit që janë deklaruar të pastër nga dy komisione nuk verifikohen prej tij. Për këto arsye Ilir Meta u ka shpëtuar verifikimeve që prej viteve 2000, duke mbajtur postin e deputetit, ministrit, zv.Kryeministrit e së fundmi të Presidentit.

Ky i fundit mund të jetë edhe i fundit në karrierën e tij politike, ndoshta shumë herë më i rëndë edhe se një ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe. Këto të dyja kanë tashmë një arsye shtesë veç akteve që kanë në fuqi për të goditur të korruptuarit në nivel global kanë edhe dosjen e një sigurimsi.

E nuk bëhet fjalë për një bashkëpunëtor të një sigurimi dosido, por të rrjetit të agjentëve e bashkëpunëtorëve të konsideruar më të ashpërit në bllokun komunist, ku njerëz janë pushkatur për një mendim, madje edhe me shpifje.

Viktimat e bashkëpunëtorëve, siç në rastin e Ilir Metës dyshohet se ka spiunuar shokun e tij të klasës, ngarkoheshin nga sigurimsat me akuzën e agjitacionit e propagandës, një vepër që dënohej me vite internim e burgim, e deri edhe me vdekje. Se çfarë dënimi ka pësuar viktima e Ilir Metës në këtë rast, vetëm Autoriteti i Dosjeve mund të zbulojë.

Por, ajo që duket se e ka penguar autoritetin që të bëjë këtë publikim më herët ka qenë imuniteti i Presidentit dhe deputetit që ka pasur ndër vite Meta. Aktualisht, këtë imunitetin e deputetit e gëzon Sali Berisha, prandaj mund të mos përbëjë çudi që edhe për të të ketë një dosje si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, vetëm se dosja ndalohet me ligj që të publikohet.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video