Largimi nga të gjitha postet që mbante në qeveri me shumë mundësi është vetëm fillimi për Arben Ahmetajn. Hapi i radhës që mund të ndërmarrë Edi Rama është largimi i tij nga drejtuesi i Qarkut të Vlorës.
Shkak për këtë vendim të mundshëm, sipas burimeve të Voxnews.al, është përçarja e thellë në të cilën është përfshirë si dega e partisë, ashtu edhe grupi i deputetëve të këtij qarku, që kanë mospajtueshmëri me mënyrën e drejtimit të kësaj dege nga Arben Ahmetaj.
“Ka një përçarje të thellë me deputetë që nuk komunikojnë jo vetëm me partinë, por as me njëri-tjetrin dhe e gjitha për shkak të vendimeve të Arben Ahmetajt”, thonë burimet.
Këto pretendime konfirmohen nën zë edhe nga drejtuesit vendorë, zyrtarë e anëtarë të Partisë Socialiste, Dega Vlorë, madje disa prej tyre thonë me ironi se ‘Arben Ahmetajt iu desh më pak se një vit që të përçante socialistët’ si arritje e parë e punës si drejtues qarku.
Por bashkëpunimi me Dritan Lelin duket se i ka vënë kapakun.
Ahmetaj në kulmin e përplasjeve që Rama kishte me kryebashkiakun në mbledhjen e partisë lokale është shprehur se “Leli është miku im”.
Kjo i ka shtangur të gjithë, ndërsa për të mos mjaftuar kjo ai e ka ftuar kryebashkiakun në Kongresin e 30 Marsit.
Ahmetaj u emërua drejtues qarku i PS-së në shtator të vitit të kaluar, duke zëvendësuar në këtë post, Damian Gjiknurin. Ky i fundit udhëhoqi fushatën e PS-së në këtë qark për zgjedhjet e 25 prillit, duke u dhënë socialistëve 8 mandate nga 13 në total.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.