Ilir Meta rrezikon që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e radhës, më të afërtat e parashikuara për vitin e ardhshëm për pushtetin vendor, nëse Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas propozimeve të Autoritetit të Dosjeve.
Arsyeja janë disa nene të propozuara për t’u përfshirë në kod. I pari lidhet me detyrimin e partive dhe të kandidatëve për zgjedhje vendore e qendrore që të dorëzojnë pranë Autoritetit të Dosjeve kërkesën dhe një formular për të verifikuar nëse kanë apo jo dosje te ish-Sigurimi i Shtetit.
Kërkesa dhe formulari i vetëdeklarimit të kandidatit, apo në rastet e partive politike të listës së kandidatëve duhet të dorëzohet të paktën 70 ditë para datës së zgjedhjeve dhe Autoriteti duhet t’i verifikojë të paktën 50 ditë para zgjedhjeve.
Në rastet kur kandidati, apo kandidatët kanë dosje te ish-sigurimi dhe vetë kandidati, apo kandidatët e kanë deklaruar atë, çështja më shumë se ligjore është morale, pasi ligjërisht nuk ka asgjë që ta pengojë që të garojë.
Por, në rastet kur kandidati, apo kandidatët kanë dosje në ish-Sigurimin e Shtetit dhe nuk e kanë deklaruar atë në formularin e vetëdeklarimit, çështja i përcillet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtim, që në varësi të shkeljes mund ta shqyrtojë në Komisionin për Ankesat dhe Sanksionet e deri ta adresojë në prokurori me akuzën e falsifikimit të dokumentave.
Ilir Meta pretendon se nuk ka dosje te ish-Sigurimi i Shtetit, se nuk ka qenë bashkëpunëtor i tij dhe se I.M., për të cilën flet Autoriteti i Dosjeve është një tjetër person. Madje, këtë të premte ish-Presidenti deklaroi se I.M. në fjalë kishte jo një, por dy dosje te ish-Sigurimi i Shtetit.
Megjithatë, në kërkesën e drejtuar Kuvendit, Autoriteti i Dosjeve thotë se bëhet fjalë për ish-Presidentin, por thekson se nuk mund ta verifikojë vetë dosjen për shkak se e pengon pika 4 e nenit 29 të ligjit mbi të cilin funksionon.
Mes propozimeve të futura në procedurë parlamentare nga PS është edhe shfuqizimi i kësaj pike dhe verifikimi i të gjitha figurave politike, të cilat janë të pajisura më parë me certifikatat e pastërtisë së figurës nga komisionet Mëzini dhe Bezhani. Një certifikatë të tillë ka dorëzuar Meta në 2017-n kur u zgjodh President.
Me ndryshimet e propozuara nga socialistët, certifikata zhvlerësohet dhe Meta dhe e gjithë klasa politike do t’i nënshtrohet verifikimit nga ana e Autoritetit të Dosjeve. Ndryshimet mund të nxjerrin në dritë emra të tjera bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, por ai që rrezikon të mos marrë pjesë në zgjedhje, për momentin është vetëm Ilir Meta.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.