Prapaskenat e largimit të Ahmetajt, Rama ia tha “gjermanisht”: Ti do ikësh sot! Çfarë ndodhi në Kryeministri

28 July 2022, 14:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prapaskenat e largimit të Ahmetajt, Rama ia tha “gjermanisht”:
Arben Ahmetaj dhe Edi Rama

Ditën e sotme Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e Arben Ahmetaj nga të gjitha postet në qeveri.

Edhe pse sesioni ishte mbyllur dhe ky ndryshim mund të bëhej në fillim të shtatorit, Edi Rama nuk ka dashur ta shtyjë asnjë ditë më tepër largimin e zëvendësit të tij në Kabinet.

Largimi i Ahmetajt kishte kohë që përflitej. Vox News javë më parë shkroi se Rama “ia kishte hequr shikimin” ‘Tigrit’, term ky që në pallatin kryeministror përdoret kur kryeministri nuk të ka më në planet e tij.

Arsyet që ai po e mbante ishte vetëm prania e Ilir Metës në Presidencë që do të bëhej pengesë për dekretimin e ndryshimeve në qeveri.

Ditën e diel në orën 18:00 ishte ceremonia e betimit të Presidentit të ri në Kuvend, më pas ceremonia në Presidencë dhe fill pas kësaj sekretaria e Edi Ramës ka njoftuar me urgjencë një mbledhje me ministrat dhe sekretariatin e partisë.

Takimi u caktua të zhvillohej në Kryeministri dhe përveç kabinetit në mbledhje ishin të pranishëm dhe Damian Gjiknuri, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Takimi ka nisur me fjalën e Edi Ramës, i cili sipas një burimi të Vox News ka qenë tejet nervoz dhe agresiv në komunikim.

Kryeministri e ka nisur komunikimin me tone të ashpra duke iu thënë ministrave se në shtator do të bëjë ndryshime drastike të qeverisë, pasi ritmi që kërkon integrimi në Bashkimin Europian kërkon një tjetër shpejtësi dhe tjetër nivel ekspertize.

Në mënyrë të beftë i është drejtuar zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj që e kishte dhe të ulur afër: “Ti do ikësh sot”.

Ahmetaj ka ulur kokën dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, as kundërshtim as falënderim për punën e deritanishme.

Burimi që në kushtet e anonimatit foli për Vox News tha se Rama këtë herë foli si “gjerman” duke nënkuptuar ashpërsinë e komunikimit.

Pas kësaj Rama ka dërguar në Presidencë me urgjencë kërkesën për shkarkimin e Ahmetaj, pa i lënë kohë Begajt që të njihej me institucionin.

Më tej Rama ka vënë theksin te sulmet dhe bërrylat që ministrat dhe drejtuesit e PS po bëjnë ndaj njëri-tjetrit.

“Nëse do të vijoni me këtë frymë në shtator do u heq të gjithëve”, mësohet të ketë thënë kreu i mazhorancës.

Prej kohësh në media ka dalë se Arben Ahmetaj nga një iniciator i inceneratorëve ishte bërë një spiun i Metës duke furnizuar partinë e ish-presidentit me dosjen e koncesionit.

Në PS të gjithë e shikonin Ahmetajn si njeriu që më shumë ishte me Ilir Metën se me Edi Ramën.

Në të gjithë sulmet që LSI bënte ndaj mazhorancës kujdesej që të hiqte nga përgjegjësia Ahmetajn edhe pse ky ishte ndër firmtarët kryesorë për atë koncesion.

Në Partinë Socialiste janë krijuar disa grupime që mes veti janë duke bërë një luftë që as opozita nuk po e bën ndaj qeverisë.

Rama ka dalluar se lufta e ethshme për pushtet që po i bëhet në selinë rozë po lëviz tokën nën këmbët e tij.

Për këtë ai ka vendosur që të bëj ndryshime të tjera në qeveri në vjeshtë.

Rama po monitoron emra që kanë aftësitë për të shkurtuar kohë në afrimin e Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

Ai do synojë që drejtimi i qeverisjes në dikastere dhe institucione të rëndësishme të jetë i ndarë nga drejtimi politik i qarqeve; vetë struktura të jetë ndërtuar mbi bazën e përafrimit me konceptet dhe rregullat e domosdoshme të Brukselit.

Po listohen ministra të rinj, teknicienë të sprovuar me koncepte të drejta dhe të shtruara qartë në sektorët jetikë të vendit. Emrat e parë janë tashmë duke u diskutuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video