Shpërthimi i depozitave të Kastratit, ngjarja që u përpoq të mbahej e fshehtë

1 August 2022, 18:12Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpërthimi i depozitave të Kastratit, ngjarja që u përpoq
Shefqet Kastrati dhe magazina e karburanteve që shpërtheu në flakë në Durrës

Për të kuptuar se sa thellë shkojnë tentakulat e Shefqet Kastratit në institucionet shtetërore dhe media, rasti i rënies së zjarrit këtë të hënë në depozitat e tij në Durrës është shembulli më i mirë.

Si fillim, policia vendore e Durrësit jo vetëm që s’e përmendi emrin se ku kishin rënë flakët, por edhe lagjen e ngatërroi. Në këtë ngatërresë nuk bëhet fjalë për lapsus, por adresa e gabuar me shumë mundësi është dhënë enkas për të shkaktuar pështjellim në publik.

Çfarë thotë policia për adresën?

“Rreth orës 14:40, në lagjen nr.14 Durrës, ka rënë zjarr në magazinën e një karburanti. Nuk ka persona të dëmtuar. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses, të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thotë policia.

Por, me një kërkim të thjeshtë në Google kupton që lagjja 14 nuk ekziston në qytetin e Durrësit, ose më saktë ekziston si pjesë e Bashkisë, por ajo është në Manzë, ndërsa zjarri, sipas pamjeve që publikoi i pari Voxnews.al ka rënë në qytetin e Durrësit.

Kjo është prova e parë e përpjekjes së policisë së Durrësit për të fshehur jo ngjarjen, por për të mbrojtur Shefqet Kastratin që kërcënoi jetën e dhjetra qytetarëve. Prova e dytë, edhe më e pakundërshtueshme është fakti që përreth zonës ku ranë flakët policia vendosi një perimetër të gjerë sigurie.


Arsyeja zyrtare ishte për mbrojtjen e qytetarëve nga ndonjë shpërthim i mundshëm më i fuqishëm i depozitave të Kastratit. Arsyeja jozyrtare ka qenë ndalimi i fotove e videove që do t’i tregonin publikut për shpërthimin në biznesin e Kastratit.

Rasti në fjalë bëhet edhe më flagrant dhe risjell edhe njëherë tjetër në vëmendje rrezikun me të cilën bashkëjetojnë përditë me minat me sahat me qindra qytetarë me karburante në mes të pallateve e pikave të kryqëzimit. Por, rasti bëhet edhe më flagrant sepse nuk bëhet fjalë për një pikë karburanti dosido, por për një pikë depozitimi lëndësh teje shpërthyese në mes të qytetit dhe që shërbente për të furnizuar pikat e tjera.

Nëse kjo pikë do të kishte një pronësi tjetër nga ajo e Shefqet Kastratit njoftimi i policisë së Durrësit dhe e gjithë rrjedha e ngjarjeve mund të ishte ndryshe, ndoshta edhe me persona të prangosur.


Por, ky nuk është rasti dhe ‘bashkëpunëtore’ në fshehjen e ngjarjes u bë edhe media. Pjesa dërrmuese e tyre e nxorrën si një njoftim normal, të thjeshtë pa iu bërë përshtypje se tymi i zi po kërcente në mes të një zone të banuar dhe kërcënonte jetën e dhjetra qytetarëve të Durrësit.

Me, apo pa dashje? Kjo censurë mediatike provon veç të tjerash që Shefqet Kastrati nuk e ka të shtrirë pushtetin vetëm te institucionet shtetërore, qendrore e lokale, por edhe te mediat që i kontrollon përmes reklamave që u jep.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video