
U nis si një takim i rëndomtë e ceremoni e thjeshtë që të njoftonte një memorandum mirëkuptimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, por që u mbyll me një fjalim me doza të forta sarkazme e kritike të Kryeministrit Edi Rama në drejtim të Ambasadores Juri Kim, deri aty sa e krahasoi edhe me një sekretare komiteti të partisë.
“Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori: “Ju garantojmë zonja Ambasadore...’M’u kujtua koha kur vinte Sekretari i Partisë këtu dhe u thoshte ai dekani i vjetër: Ju garantojmë shoku Sekretar i Komitetit të Partisë që ne do të punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne”, tha Rama.
Fraza shkaktoi të qeshura në sallë, por edhe pse e thënë me shaka, shakaja është gjysma e së vërtetës. Ambasadorja Kim është e përfshirë fort në jetën politike të Shqipërisë, aq sa është akuzuar edhe për sjellje prej guvernatoreje.
Ambasadorët amerikanë në Shqipëri nga politikanët kanë dëgjuar ndër vite muzikën që kanë dashur në veshët e tyre, ndaj me të drejtë Juri Kim ‘u habit’ nga fjalët e Ramës, duke i thënë se “çfarë nuk shkonte me të?”.
E në vazhdën e batutave, Kim i thotë se ‘ishte e sigurtë që ja kishin përkthyer gabim’, por Rama e përforcoi qëndrimin duke ironizuar edhe më tej. “Sigurisht, sigurisht!”, i tha ai.
Që Rama është një kritik i hershëm i përfshirjes së thellë të ambasadave dhe ambasadorëve të SHBA e BE në Shqipëri nuk është risi. Por, nëse në të shkuarën këtë përfshirje e qortonte me gjuhë më të moderuar dhe të kujdesshme, sidomos për rolin që merrnin ambasadorët në përpjekjet e tyre për të ulur në dialog e marrëveshje politikën shqiptare, deklarata e kësaj të premteje ishte më e drejtpërdrejtë.
Kritikat e Ramës në dukje shënjestruan vetëm çështjen e afganëve, por në thelb dukeshin më të gjera se aq. Por çfarë tha Rama?
“Më vjen shumë mirë që studentët afganë këtu kanë gjetur një hapësirë ku ndjehen mirë. Pas pak do të shkojnë matanë oqeanit. Shpresoj që mos të mërziten se nuk do t’i trajtojnë kaq mirë sa i trajtojmë ne këtu, por do të mësojnë edhe ata të mos i trajtojnë mirë të tjerët dhe në rregull do të jenë”, tha ai.
Rama i ra ‘dritares, që të dëgjojë dera’, duke i thënë në sy Juri Kimit se trajtimi që po i bën SHBA shqiptarëve më së paku nuk është ‘trajtim i mirë’.
“Kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë të gjithë kohës...po ne i marrim me kënaqësi. Po qe puna për vlera, standarde e predikime nuk ka ditë e natë, i kemi këtu na japin me bujarinë më të madhe se çfarë duhet të bëni dhe kur vjen puna te këto gjërat konkrete japin, po çik më me kujdes se nuk kanë të shkretët. Nuk janë në pozitë që të japin shumë”, vijoi ai.
Këtu, Kryeministri nënkupton se kur është puna për të ‘dhënë mend’ SHBA nuk kursehen, por kur vjen puna për ndihmë konkrete, si në rastin e afganëve për strehimin e tyre, ndihma faktike nuk përputhet me premtimin e dhënë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.