Qeveria merr pushimet, ‘harron’ 3 mijë lekëshin për pensionistët

1 August 2022, 20:32Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria merr pushimet, ‘harron’ 3 mijë lekëshin për
Foto ilustruese

Në fund të majit, një muaj nga përfundimi i paketës sociale prej 30 mijë lekësh për pensionistë e persona me aftësi të kufizuara, Arben Ahmetaj dilte në shkallët e Kryeministrisë ende si zëvendëskryeministër.

“Nëse lufta vazhdon dhe çmimet mbeten të larta, Qeveria është e gatshme që të zgjasë me patjetër paketën sociale. Sigurisht, nuk është e mjaftueshme, por në kushte të tilla nuk e dimë kur mbaron lufta”, deklaronte ai.

Lufta nuk ka përfunduar, e po ashtu çmimet mbeten në nivele rekord. Kur u hartua paketa prej 3 mijë lekësh të reja për pensionistë, familje me ndihmë sociale e persona me aftësi të kufizuara Kryeministri Edi Rama tha se vendimi është marrë në bazë të të dhënave të INSTAT për inflacionin e ushqimeve të shportës.

Sipas këtyre të dhënave, inflacioni i ushqimeve të shportës në shkurt ishte 7.5 për qind dhe në përllogaritjet e Qeverisë mjaftonin 25 mijë deri në 30 mijë lek të ishin të mjaftueshme për të mbuluar rritjen e kostos.

Paketa hyri në fuqi më 1 prill me afat tremujor. Më 30 qershor paketa përfundoi dhe në korrik kategoritë më vulnerabël nga kriza e çmimeve nuk morën asnjë të ardhur shtesë, pavarësisht se edhe paketa që u dha ishte më e ulta ndër vendet e rajonit.

Por, bashkë me Ahmetaj u harrua edhe premtimi i dhënë për zgjatjen e afateve të paketës së rezistencës sociale. Qeveria mori pushimet dhe ministrat e Kryeministri e mbyllën punën për ta rifilluar në shtator.

Ajo që harruan ishte ‘lëmosha’ 3 mijë lekëshe për shtresat në nevojë, pavarësisht se në fund të qershorit qeveria shpërndau e sponsorizoi lajmin se paketa sociale do të zgjatej deri në fund të këtij viti.

Kjo nuk ndodhi dhe barra e rritjes së çmimeve është lënë tashmë edhe plotësisht në kurriz qytetarëve.

Me paketën e parë qeveria dha 3 mijë lekë të rinj në muaj për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe, faturë që kapi një vlerë prej 3.3 miliard lekësh, ndërsa 500 milion lekë u dhanë për transportin publik dhe 500 milion u shtuan për naftën pa taksa për fermerët.

Mungesa e asistencës financiare për familjet e varfra pritet të përkeqësojë gjendjen e tyre ekonomike, në një kohë që inflacioni i mallrave të shportës ka qënë më i lartë se ai i marsit, kur Këshilli i Ministrave miratoi Paketën e Rezistencës Sociale.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video